Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është paraqitur mëngjesin e sotëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku pas pak pritet të nisë seanca e rigjykimit ndaj tij lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Seanca është paraparë të nisë në orën 09:30.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 26 shkurt 2024, e kishte shpallur Konjufcën të pafajshëm për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” akuza ishte refuzuar për shkak të parashkrimit.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte prishur këtë vendim dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.
Aktakuza ndaj Konjufcës ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 3 shkurt 2017.
Ai akuzohet se më 10 gusht 2016, në cilësinë e deputetit, gjatë një mbledhjeje të Kuvendit të Kosovës kishte hedhur gaz lotsjellës në sallë.
Sipas aktakuzës, për shkak të tymit të krijuar nga gazi lotsjellës, pjesëmarrësit ishin detyruar ta braktisnin sallën.






