Pasi kampionati vendor në dy nivelet më të larta, Albi Mall Superligë dhe Raiffeisen Ligën e Parë u ndaluan për shkak të angazhimeve ndërkombëtare të ekipeve kombëtare, gjyqtarët e këtyre kategorive iu nënshtruan sot testeve fizike të radhës në Kampin Nacional në Hajvali.
Ky ishte testimi i dytë për këtë sezon, pas atij të mbajtur para fillimit të kampionatit, me qëllim që gjyqtarët të jenë në formë sa më të mirë për sfidat që i presin në vazhdimin e kampionatit.
Testet fizike u mbajtën nën mbikëqyrjen e Komisionit të Gjyqtarëve, me në krye Përparim Hasanin. Në këtë proces u vlerësua gjendja fizike dhe gatishmëria e gjyqtarëve për t’i përballuar kërkesat e larta që sjellin ndeshjet e kampionatit. Gjyqtarët treguan përkushtim dhe seriozitet maksimal në përmbushjen e këtyre testeve, duke dëshmuar formë të lartë dhe përgatitje profesionale.
Përparim Hasani, kryetar i Komisionit të Gjyqtarëve, vlerësoi lart punën dhe përkushtimin e gjyqtarëve, duke theksuar rëndësinë e mbajtjes së formës fizike dhe nivelit të kondicionit gjatë gjithë sezonit. Ai u shpreh se këto teste janë pjesë e një plani më të gjerë për të siguruar që gjyqtarët të jenë gjithmonë të përgatitur për ndeshjet e kampionatit, duke respektuar standardet ndërkombëtare të vendosura nga FIFA dhe UEFA.