Cristiano Ronaldo dhe pronari i Milanit bashkohen për blerjen e Al Nassr

- Advertisement -

Një lëvizje e bujshme mund të ndryshojë përgjithmonë fatin e Al Nassr-it.

Sipas raportimeve që vijnë nga Arabia Saudite, Cristiano Ronaldo dhe Gerry Cardinale, pronari i Milanit dhe CEO i RedBird Capital Partners, janë bërë pjesë e një konsorciumi që po përgatit një ofertë për blerjen e klubit saudit.

Sipas A Bola, që citon analistin sportiv Naëaf_STATS, konsorciumi përbëhet nga pesë investitorë dhe synon të blejë Al Nassr-in nga Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite (PIF).

Përveç Ronaldos dhe Cardinale, pjesë e grupit thuhet se janë edhe tre biznesmenë të fuqishëm sauditë: Ibrahim Al-Muhaidib, Mohammed Al-Khuraiji dhe Sharaf Al-Hariri.

Nëse marrëveshja konkretizohet, bëhet fjalë për një prej operacioneve më spektakolare në futbollin arab. Ronaldo, i cili është figura kryesore e Al Nassr-it që prej transferimit të tij në Arabinë Saudite, mund të kalojë nga ylli i klubit në një prej pronarëve të tij.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për ofertën, por raportimet kanë ndezur menjëherë spekulimet për një revolucion të ri te Al Nassr.

Të ngjashme

Të fundit