Gjini: Aleanca s’e voton kandidatin Sejdiu për president

- Advertisement -

Kryetari i Aleancës Ardian Gjini, ka folur për qëndrimin e partisë së tij lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës dhe mundësinë e votimit të kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe LVV-ja, Bekim Sejdiu.

Gjini ka deklaruar për Indeksonline se qëndrimi i Aleancës është i qartë që nga 7 qershori dhe se partia e tij nuk e sheh veten të obliguar nga marrëveshjet që mund të arrijnë partitë e tjera politike.

“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshje që bëjnë dy parti politike të tjera”, tha Gjini.

Ai kritikoi ashpër qeverinë, duke thënë se nuk sheh vullnet për t’u marrë me temat që lidhen me qytetarët dhe të ardhmen e Kosovës.

“Nuk shohim kurrfarë vullneti të kësaj qeverie me u marrë me çfarëdo teme që ka të bëjë me qytetarin e Kosovës, me të ardhmen e vendit, me planifikimet afatgjata”, u shpreh ai.

I pyetur nëse merr ftesë nga Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku për konsultime lidhur me presidentin, Gjini tha se nuk është i interesuar për atë që e cilësoi si “lojëra të fëmijëve”.

“S’kam kohë për ksi lojërash të fëmijëve që janë me qëllim mashtrimin e opinionit publik dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje”, tha ai.

Sa i përket qëndrimit të deputetëve të Aleancës, Gjini theksoi se partia është plotësisht e unifikuar dhe se çdo vendim do të merret në mënyrë të përbashkët.

“Jemi qind për qind unik. Çfarëdo vendimi që merret në Aleancë, GP është unik”, përfundoi Gjini.

Gjini foli edhe për protestën e komunave, duke e cilësuar situatën aktuale si një periudhë të rëndë për Kosovën.

“Sot jemi në situatën që komunat kanë ardhur të protestojnë, për shkak se periudha e mashtrimit më të madh në historinë e Kosovës e ka prekur çdo pore të jetës në Kosovë. Kosova është para kolapsit ekonomik e social. Nuk respektohet në arenën ndërkombëtare. Kemi bllokada, jemi përjashtuar nga dialogu strategjik me Amerikën dhe kemi qenë nën sanksione të Evropës”, deklaroi Gjini

Të ngjashme

Të fundit