Gjimshiti ia jep lamtumirën Atalantës përmes një letre emocionuese

- Advertisement -

Berat Gjimshiti ia ka dhënë lamtumirën Atalantës pas viteve të shumta të kaluara me klubin italian.

Mbrojtësi shqiptar, i cili do të transferohet në Arabinë Saudite te Al-Diriyah FC, e ka publikuar një mesazh falënderimi për të gjithë familjen e Atalantës.

“Është koha për të thënë lamtumirë”, ka shkruar Gjimshiti përmes kanaleve sociale të Atalantës.

“I pari që dua ta falënderoj është klubi. Ju falënderoj për shumë vite që i kam kaluar këtu, familjen Percassi dhe në veçanti Lucan, për gjithçka që ka bërë për mua. Falënderoj drejtuesit e Atalantës, nga ata që ishin këtu kur mbërrita e deri te ata që janë sot. Të gjithë.”

“Pastaj janë njerëzit që punojnë për Atalantën. Lojtarët, veçanërisht ata me të cilët kam kaluar më shumë kohë. Kemi fituar dhe kemi vuajtur së bashku. Kam takuar lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme dhe me personalitet të madh.”

“Kam pasur shumë shokë skuadre, por kujtimet që do të mbeten gjithmonë në zemrën time janë ato të të gjithë njerëzve që i kam njohur gjatë këtyre viteve.”

“Sigurisht, dua t’i falënderoj tifozët e Atalantës, të cilët më kanë mbështetur që nga dita e parë. Faleminderit pafundësisht, një falënderim i madh dhe i jashtëzakonshëm. Për të gjitha këto vite që kam qenë këtu dhe gjatë të cilave më pritën si një djalë të tyrin, si një bergamask.”

“Në rrugë më thoshin gjithmonë se isha njëri prej tyre, pjesë e qytetit. Dhe kështu edhe ndihesha. Bergamo është bërë shtëpia ime. Një e treta e jetës sime është jetuar këtu.”

“Si çdo gjë në jetë, edhe kjo e ka një fillim dhe një fund. Dhe fundi ka ardhur tani. Dua t’i falënderoj të gjithë tifozët për mbështetjen, për udhëtimet jashtë fushe dhe për shtysën që na kanë dhënë në fushë. Ata janë lojtari ynë i 12-të.”

“Shpresoj të më kujtojnë më shumë si njeri sesa si futbollist. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi. Shpresoj të më kujtojnë si një njeri që dha gjithçka në fushë, që gjithmonë e djersiti fanellën.”

“Mund të kem luajtur keq në disa ndeshje, por gjithmonë kam dhënë gjithçka dhe shpresoj që kjo të jetë parë. Është një ‘shihemi përsëri’.”

“Në futboll thuhet kështu, ashtu siç thuhet edhe në jetë. Shpresoj të takoj sërish shumë njerëz. Sigurisht që do të rikthehem në Bergamo, sepse kjo është shtëpia ime, e gruas sime dhe e tre fëmijëve të mi, të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Bergamo. Është krijuar një lidhje e jashtëzakonshme.”

Gjimshiti largohet nga Atalanta pas një periudhe të gjatë në klub, ku ishte njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, shkruan Express.

Me klubin bergamask, ai e fitoi edhe Ligën e Evropës në vitin 2024, trofeun e parë evropian në historinë e Atalantës.

Të ngjashme

Të fundit