Gjilani ka marrë një fitore të madhe në shtëpi, ndaj vendit të dytë të tabelës, Malishevës.
Pas dy barazimeve radhazi, skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani ka marrë një fitore jo edhe të lehtë, por të rëndësishme në shtëpi, ndaj Malishevës, me ndeshjen e luajtur në kuadër të xhiros së 13-të në Superligën e Kosovës.
Skuadra vendase fitoi 3-2, me një ndeshje përplot emocione në Gjilan.
Vendasit ishin të parët që dolën në epërsi, me anë të Arjol Bllacës, në minutën e 11-të.
Pjesa e parë u mbyll me këto shifra, teksa golat tjerë u shënuan në 45-minutëshin e dytë.
Valmir Nafiu e barazoi rezultatin për Malishevën në minutën e 47-të.
Në minutën e 74-të, Nafiu e pati mundësinë të bëhej heroi i natës, por në fakt u bë figura tragjike.
Nafiu e humbi penalltinë, të cilën e priti Marijan Coric, teksa portieri i Gjilanit ia priti edhe goditjen kthyese.
Rezultati mbeti në 1-1 dhe kësisoj Gjilani e shfrytëzoi mundësinë, duke dalë prapë në epërsi pesë minuta më vonë, me Bllacën që shënoi golin e dytë në përballje.
Gjilani e vulosi fitoren në minutën e 87-të, kur Bleart Tolaj shënoi për 3-1.
Mirëpo, Malisheva e shënoi edhe një gol “ngushëllues” në minutën e 92-të, përmes Xhemajl Ibishit.
Me këtë fitore, Gjilani shkon në kuotën e 22 pikëve, derisa Malisheva mbetet në 27 pikë, dy më pak se Prishtina që është e para dhe ka një ndeshje më pak dhe katër më shumë se Drita që është e treta.






