Gjetjet e ekspertëve britanikë për Gjykatën Speciale: Avokati i Popullit u dërgon letër Rubios dhe të gjitha shteteve financuese

- Advertisement -

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ua ka dërguar një letër të gjitha shteteve financuese të Gjykatës Speciale.

Kjo pas gjetjeve alarmante të ekspertëve britanikë për shkeljet në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një komunikatë për media, Avokati i Popullit ka treguar se kujt ia ka dërguar këtë letër.

“Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, z. Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë. Raporti u është dërguar znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, znj. Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe z. Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftim.

“Në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet lidhur me garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës, të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Wales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit”, thuhet më tutje.

Qelaj në letër, ka kërkuar gjykim të drejtë, si parim bazë të drejtësisë.

“Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Këto dispozita garantojnë, ndër të tjera, të drejtën e çdo individi për një seancë të drejtë dhe publike para një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme, të krijuar me ligj; prezumimin e pafajësisë; kohë dhe lehtësi të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes; barazinë e armëve ndërmjet prokurorisë dhe mbrojtjes; si dhe transparencën në procedurat gjyqësore”, ka shkruar Qelaj.

Pjesa tjetër e komunikatës:

Avokati i Popullit thekson rëndësinë e sigurimit që praktikat dhe procedurat e gjykatës të vazhdojnë t’u përmbahen plotësisht standardeve më të larta ndërkombëtare të drejtësisë, transparencës dhe pavarësisë gjyqësore. Ai shtoi se adresimi i shqetësimeve të identifikuara në raport është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e të drejtave procedurale të të akuzuarve, por edhe për ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të procesit gjyqësor.

Avokati i Popullit ka rikujtuar në letër se Republika e Kosovës ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj parimeve të drejtësisë ndërkombëtare, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Më tutje, theksohet se Republika e Kosovës ka përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare duke themeluar Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të legjislacionit zbatues nga institucionet e saj demokratike. Avokati i Popullit nënvizon gatishmërinë e qartë dhe të pakontestueshme të Kosovës për të kontribuar në mekanizmat ndërkombëtarë të llogaridhënies dhe për të mbështetur standardet më të larta të drejtësisë.

Në këtë letër, Avokati i Popullit po ashtu thekson se përfaqësuesit e lartë politikë të Kosovës janë dorëzuar vullnetarisht në juridiksionin e Gjykatës për t’u përballur me akuzat e ngritura kundër tyre. Ai shtoi se një sjellje e tillë tregon një angazhim të fortë institucional nga Republika e Kosovës dhe udhëheqja e saj politike ndaj parimeve të llogaridhënies, bashkëpunimit gjyqësor dhe respektimit të proceseve ligjore ndërkombëtare.

Të ngjashme

Të fundit