Ministrja e jashtme, Donika Gërvalla, thotë se nuk ka asnjë informacion nëse është tërhequr letra e Ana Bërnabiq, për të cilën Lajçak tha se ka ndodhur.
“Nuk kam asnjë informacion për ndonjë hap tjetër të ri të Serbisë lidhur me tërheqjen e çfarëdo dokumenti.
Besoj që zoti Lajcak fjalën e ka për një tërheqje të pjesshme të asaj letre të Ana Bërnabiq e cila megjithatë nuk tërhiqet nga mosnjohja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, gjë që është një qasje tërësisht e papranueshme për ne si Republikë.
Përshtypja që të krijohet në këtë proces të ashtuquajtur të normalizimit të BE-së, në raport me Kosovën dhe Serbinë, është që sa më shumë normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më shumë që normalizohet pozita e serbëve të Kosovës, sa më tepër që ata të çliruar nga ndikimi i bandave në veri, tentojnë të bëhen pjesë e institucioneve, pjesë e shoqërisë, të integrohen në shoqërinë tonë, aq më shumë largohet Serbia nga i ashtuquajturi normalizim i synuar në Bruksel.
Ne kemi nevojë për një rishikim të procesit në tërësi. Kemi nevojë që Komisioni i ri, personat e ri që vijnë në Bruksel dhe marrin detyrat e reja, të kenë strategji të qartë se ku çon procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë.
Kemi marrëveshje vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër dhe presim që të gjitha palët t’i përmbahen zotimeve të tyre, por kemi parë që Serbia është larg implementimit të marrëveshjes dhe nuk ka ditë që një zyrtar serb nuk del dhe hedh poshtë atë që është arritur në Bruksel”, thotë Gërvalla në konferencë për media me ministrin e jashtëm turk.
Veç tjerash, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, deklaroi sot se letra e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, ku theksohej se Serbia e kontestonte marrëveshjen e Ohrit, tashmë është tërhequr.
“Letra (e Bërnabiq) është tërhequr. Ka deklarata këtu dhe atje, që nuk ndihmojnë fare por Marrëveshja është e vlefshme në tërësinë e saj dhe tashmë Marrëveshja është bërë pjesë në rrugën evropiane të Kosovës dhe Serbisë. Jemi pajtuar për diçka, por nuk mund ta them këtë para se koordinohemi me të tjerët”, tha ai.