Nga Ismet Mulaj
Po dëgjoj disa mbështetës të qeverisë që thonë se sjellja e gazit amerikan ka kosto të lartë dhe nuk ka leverdi ekonomike.
Për ta kam disa fakte.
Shtetet e Bashkuara kanë investuar për Kosovën shumë më tepër sesa vetëm me fjalë. Për çlirimin e Kosovës kanë shpenzuar miliarda dollarë. Pas luftës kanë investuar miliarda të tjera në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin ekonomik, demokracinë dhe sigurinë. Vetëm për projektin e baterive rezervë të KEK-ut janë angazhuar mbi 200 milionë euro ( rreth 8 milardë dollar në total). E këtu nuk po flas fare për garantimin e sigurisë së Kosovës, praninë ushtarake dhe lobimin e pandërprerë për shtetin tonë.
Ndërkohë, për të gjithë skeptikët: ndërtimi i gazsjellësit nga Shkupi deri në Prishtinë, me nënstacionet përkatëse, vlerësohet të kushtojë rreth 100–120 milionë euro. Pra, po flasim për një investim që është shumë i vogël krahasuar me përfitimet strategjike që sjell.
Të hedhësh poshtë një projekt të tillë duke premtuar alternativa që nuk janë realizuar kurrë, është gabim. Historia na ka mësuar se zhvillimi ndërtohet mbi projekte konkrete, jo mbi premtime.
Gazi amerikan nuk është vetëm një burim energjie. Ai është një mundësi për të rritur sigurinë energjetike të Kosovës, për të tërhequr investime dhe për ta lidhur vendin edhe më fort me interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara.
Në politikën ndërkombëtare nuk mjafton të thuash se je mik i Amerikës. Miqësia ndërtohet edhe përmes projekteve të përbashkëta strategjike.
Prandaj shtroj një pyetje të thjeshtë: pse duhet Amerika të vazhdojë të investojë dhe të angazhohet për Kosovën, nëse ne refuzojmë të bëhemi pjesë e projekteve që janë edhe në interesin e saj gjeostrategjik?
Koha do ta tregojë se refuzimi i këtij projekti mund të jetë një nga gabimet më të mëdha strategjike që mund t’i bëhet Kosovës.






