​Gashani pret kampionen Donjeta Sadiku: Kosova është me ty

- Advertisement -

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur sot në ambientet e ministrisë boksieren kosovare Donjeta Sadiku, pas paraqitjes së saj të suksesshme në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

Gashani e ka vlerësuar lart suksesin e Sadikut, e cila u shpall kampione në këtë ngjarje sportive, duke ngritur flamurin e Kosovës në majën e podiumit.

“Sot në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë prita kampionen tonë të artë, Donjeta Sadikun. Pas paraqitjes së jashtëzakonshme në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ku na bëri të gjithëve krenarë dhe ngriti flamurin e Kosovës në majën e podiumit, ishte kënaqësi e veçantë ta presim dhe ta falënderojmë për këtë sukses”, ka shkruar Gashani.

Ai ka bërë të ditur se Sadiku tashmë po përgatitet për garat evropiane, duke i uruar asaj sukses edhe në këtë sfidë.

Ndërkohë, Gashani ka deklaruar se Ministria e Sportit dhe Rinisë do të vazhdojë mbështetjen për sportistët kosovarë, duke paralajmëruar edhe hapa institucionalë për vlerësimin e arritjeve të sportistëve që kanë fituar medalje në Taranto.

“Si Ministri, do të vazhdojmë të mbështesim sportistët tanë dhe sukseset e tyre, përfshirë edhe hapat institucionalë për vlerësimin e arritjeve të tilla për Donjetën dhe të gjithë sportistët e tjerë që po na kthehen me medalje nga Taranto”, ka shkruar ai.

Në fund, ministri i ka uruar suksese të mëtejshme kampiones kosovare, duke i përcjellë mesazhin se Kosova është me Sadikun.

Të ngjashme

Të fundit