Real Madridi po shtyn përpara për transferimin e mesfushorit të AZ Alkmaar, Kees Smit, gjatë kësaj vere.
Sipas raportimit të “OK Diario”, “Los Blancos” janë në kërkim të një organizatori të ri në mesfushë. Pasi objektivat si Vitinha (PSG), Enzo Fernandez (Chelsea) dhe Rodri (Manchester City) konsiderohen tepër të kushtueshëm, gjiganti spanjoll ka kthyer vëmendjen te talenti holandez.
Raporti thekson se Real Madridi dëshiron të shmangë një “luftë ofertash” për 20-vjeçarin dhe synon ta mbyllë marrëveshjen para se vlera e tij të rritet gjatë Kupës së Botës. Madrilenët thuhet se janë të gatshëm të shpenzojnë deri në 50 milionë euro për shërbimet e tij.
Smit është ngjitur shpejt në vëmendjen e futbollit evropian falë paraqitjeve të mira me AZ-në dhe ekipet e moshave të Holandës, duke u cilësuar si një nga talentet më të kërkuara në kontinent.
Madje, përzgjedhësi i Holandës, Ronald Koeman, e vlerëson lart dhe e ka krahasuar me mesfushorët e Barcelonës, Pedri dhe Frenkie de Jong.
Po ashtu, skautët e Real Madridit raportohet se janë impresionuar nga paraqitja e tij në debutimin me kombëtaren, në ndeshjen ndaj Norvegjisë.







