FIFA është shumë pranë miratimit të një ndryshimi të rëndësishëm në rregullat e Kupës së Botës 2026, që lidhet me kartonët e verdhë dhe pezullimet e lojtarëve.
Sipas raportimeve të fundit, organi qeverisës i futbollit po planifikon që kartonët e verdhë të fshihen pas përfundimit të fazës së grupeve, duke shtuar një “amnisti” të re për lojtarët.
Aktualisht, në Botëror kartonët e verdhë fshihen vetëm pas çerekfinaleve, por me formatin e ri me 48 ekipe dhe më shumë ndeshje, FIFA synon të ulë rrezikun që lojtarët të mungojnë në ndeshjet vendimtare për shkak të akumulimit të kartonëve. Plani i ri parashikon dy faza “pastrimi”: pas fazës së grupeve pas çerekfinaleve.
Kjo do të thotë se lojtarët që kalojnë në fazën me eliminim direkt do të nisin me zero kartonë, duke shmangur pezullime të rëndësishme në ndeshje si 1/16, 1/8 apo çerekfinale.
Ky ndryshim pritet të diskutohet dhe të finalizohet nga Këshilli i FIFA-s, ndërsa konsiderohet si një hap për ta bërë turneun më të drejtë dhe më spektakolar në edicionin më të madh në histori.






