Në fjalën e tij, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së shprehu vlerësimin e lartë për partnerët dhe rolin e tyre në sukseset e deritashme të futbollit kosovar.
“Me juve, FFK është bërë organizata më e madhe dhe më e fuqishme në vend. Ju jeni brendet kryesore që na keni besuar dhe mbështetur, duke kontribuar në stabilitetin dhe avancimin e futbollit në Kosovë. Ne si federatë kemi traditë të gjatë, por kemi vetëm 8 vite në arenën ndërkombëtare, prandaj edhe rezultatet tona janë të kënaqshme. E ky sukses është fryt i bashkëpunimit tonë të ngushtë”, tha Ademi.
Kreu i FFK-së vuri në pah rëndësinë e partneritetit të qëndrueshëm. “Së bashku kemi treguar se kur energjitë dhe resurset tona bashkohen, arrihen rezultate të shkëlqyera në zhvillimin e futbollit dhe të shoqërisë sonë”, shtoi Ademi. Në fund në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e ngushtë, FFK ndau për secilin partner një fanellë zyrtare të Kombëtares së Kosovës.