Arben Fetoshi, nga Instituti Oktopus ka vlerësuar se miratimi nga Kuvendi i Kosovës për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në misionin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza përfaqëson një hap të rëndësishëm strategjik për vendin.
Sipas Fetoshit, ky vendim dëshmon orientimin e qartë euro-atlantik të Kosovës dhe unitetin e forcave politike në funksion të këtij qëllimi. Ai theksoi se përmes këtij angazhimi, Kosova po dërgon një mesazh të fuqishëm përballë kërcënimeve hibride serbo-ruse dhe po tejkalon sfidat që kanë penguar konsolidimin e saj ndërkombëtar.
Ai e cilësoi Kosovën si një shtet të vogël, por me peshë të rëndësishme në gjeopolitikë, duke shtuar se roli i saj në misione ndërkombëtare e forcon pozicionin si faktor i besueshëm për paqen dhe stabilitetin global.
“Miratimi i Kuvendit të Kosovës për dërgimin e FSK-së në misionin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, shpreh orientimin e qartë strategjik dhe unitetin e forcave politike në rrugën drejt komunitetit euro-atlantik. Me këtë vendim, Kosova po e dërgon mesazhin më të fuqishëm ndaj kërcënimeve hibride serbo-ruse, dhe po i tejkalon barrierat që e kanë sfiduar konsolidimin e saj ndërkombëtar. Një shtet i vogël por kompleks për gjeopolitikën, po bëhet një forcë tejet e rëndësishme për paqen e stabilitetin në botë”, shkroi Fetoshi.
Ai nënvizoi gjithashtu se partneriteti me aleatët dhe përkushtimi ndaj vlerave të lirisë janë më të rëndësishme sesa madhësia apo kapacitetet ushtarake, duke shtuar se pjesëmarrja në një nga zonat më të ndjeshme të botës e afirmon Kosovën në krah të fuqive kryesore ndërkombëtare.
Në fund, Fetoshi theksoi se ky vendim reflekton aspiratën e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike, duke i cilësuar kundërshtimet ndaj këtij procesi si propagandë dhe narrativa të pabazuara.






