6 nëntor, 2024 – FC 2 Korriku U19 ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në UEFA Youth League, duke siguruar kualifikimin në fazën tjetër të këtij kompeticioni. Pas triumfit 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, skuadra nga Prishtina arriti tjetër fitore të merituar 3:1 në përballjen e kthimit kundër ekipit irlandez, UCD nga Dublini, në kuadër të rrethit të dytë.

Ky rezultat e dërgon FC 2 Korrikun në mesin e dhjetë skuadrave më të mira të Domestic Champions Path të UEFA Youth League, një arritje e jashtëzakonshme që pasqyron talentin dhe punën e palodhshme që po zhvillohet në futbollin kosovar.

Dy gola për FC 2 Korrikun në këtë ndeshje i shënoi Rin Ahmeti, derisa me një gol kontribuoi Omer Shala.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, përgëzoi futbollistët, trajnerët dhe drejtuesit e klubit për këtë arritje të madhe. Në urimin e tij, në rrjetet sociale ai shprehu krenarinë për paraqitjen e ekipit dhe uroi suksese të mëtejshme në këtë rrugëtim.

“Urimet më të përzemërta për FC 2 Korriku!

Tjetër festë, tjetër natë magjike për futbollin e Kosovës në UEFA Youth League.

Pas fitores 2:1 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ekipi U19 i FC 2 Korrikut realizoi fitore edhe në ndeshjen e kthimit të rrethit të dytë kundër skuadrës irlandeze, UCD nga Dublini,  me rezultat 3:1, duke vulosur suksesin historik për klubin dhe futbollin tonë me kualifikimin në mesin e dhjetë skuadrave më të mira të Domestic Champions Path në UEFA Youth League.

Ky sukses është dëshmi e talentit të jashtëzakonshëm në vendin tonë dhe konfirmim i punës së shkëlqyeshme me gjeneratat e reja në klubin kryeqytetas.

Përgëzoj futbollistët e rinj të FC 2 Korrikut për paraqitjen e jashtëzakonshme dhe prezantimin e denjë të futbollit tonë në këtë nivel të garave evropiane.

Me këtë sukses ata na bënë krenarë të gjithëve. Urime edhe për stafin e trajnerëve dhe drejtuesit e klubit.

Urime e ju priftë e mbara tutje!

Vazhdoni të na bëni krenarë”, ka shkruar Ademi