Kombëtarja e Kosovës ka marrë tri prurje të reja për ndeshjet e Ligës së Kombeve, me Erblin Osmanin, Dion Kaçurin dhe Milot Avdylin që janë përfshirë në grumbullimin e Dardanëve për sfidat ndaj Irlandës, Austrisë dhe Izraelit.
Kombëtarja e Kosovës po i jep hapësirë edhe emrave të rinj në nisjen e këtij cikli, me Osmanin, Kaçurin dhe Avdylin që janë bërë pjesë e ekipit të përzgjedhësit Franco Foda. Për të tre futbollistët, kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierë dhe një mundësi për të dëshmuar veten me fanellën e Dardanëve.
Në një video të publikuar nga FFK-ja, tre lojtarët e rinj kanë folur për emocionet dhe krenarinë që ndiejnë pas ftesës së tyre të parë.
Erblin Osmani ka deklaruar se për fanellën e Kosovës do të japë maksimumin, duke e nisur kështu një kapitull të ri në karrierën e tij.
Edhe Dion Kaçuri ka shprehur emocionet për këtë moment, duke thënë se është shumë i lumtur dhe krenar që i është dhënë mundësia të luajë për Kosovën. Ai premtoi se do të japë maksimumin çdo ditë për fanellën e Dardanëve, duke e mbyllur mesazhin e tij me “Forca Kosova”.
Ndërkohë, Milot Avdyli e ka cilësuar këtë ftesë si realizim të një ëndrre. Ai ka kujtuar rrugëtimin e tij nga grupmoshat e Kosovës deri te Kombëtarja A, duke theksuar se tani gjithçka do të jetë në shërbim të Kosovës. “Ëndërr e realizuar, zemra plot krenari, tash gjithçka për Kosovën”, ka thënë Avdyli.
FFK-ja, përmes postimit të saj, i ka uruar tre futbollistët për këtë kapitull të ri, duke vënë në pah përkushtimin, krenarinë dhe përgjegjësinë që mbart fanella e Kosovës.
Për Osmanin, Kaçurrin dhe Avdylin, ftesa në Kombëtaren A është një tjetër hap në rrugëtimin e tyre, tashmë në skenën më të madhe të futbollit kosovar.






