7.8 C
New York
Friday, April 19, 2024

Buy now

Ekspertët: Ndikim pozitiv ekonomik do të kishte falja borxheve të bizneseve

- Advertisement -

Janë mbi 500 milionë euro që ndërmarrjet, bizneset dhe qytetarët ia kanë borxh shtetit. Përfaqësuese të bizneseve, por edhe ekonomistët thonë se falja e këtyre borxheve (amnistia fiskale) do të kishte ndikim pozitiv në ekonominë e vendit.

Kosova ende nuk ka marrë një hap për faljen e borxheve, apo ajo që njihet si amnisti fiskale, e cila do të këndellte ekonominë e Kosovës.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, duke folur për Radio Kosovën vlerëson se amnistia fiskale do të ishte mbështetja më e madhe ndaj bizneseve dhe ndërmarrjeve, për rimëkëmbjen e tyre.

“ Qeveria Kurti duhet të mbetet në histori nëse merr një vendim të amnistisë fiskale deri në vitin 2022, e që kjo do të ishte mbështetja më e madhe e qytetarëve, e bizneseve e të gjithë atyre që në forma të ndryshme nuk kanë mundur t’i shlyejnë borxhet e veta por janë futur në borxh edhe më shumë, qoftë në banka, por qoftë edhe në formën e fajdesë për t’i paguar apo shlyer borxhet që kanë”, thotë Shahini për Radio Kosovën.

Shahini thekson se borxhi total është diku mbi 500 milionë euro, e të cilat tashmë siç thotë ai, e kanë humbur fuqinë juridike për t’i mbledhur.

“Borxhi total, i cili do të duhej të shlyhej qoftë nga ATK, tatimi në pronë, kërkesat për shërbime mos pagesë të ujit, mbeturinave e të tjera, mund të jetë diku mbi 500 milionë euro, e që këto e kanë humbur fuqinë juridike, të cilat asnjëherë nuk do të merren por gjithmonë do të mbeten borxhe të këqija, kurse Kosova pretendon të futet në mekanizma të Bashkimit Evropian, dhe kjo është një pengesë e madhe, kur këto borxhe figurojnë, kur Kosova tenton të marrë kredi dhe kjo është një performansë e dobët e shtetit të Kosovës, sepse kur shteti nuk mund t’i marrë borxhet nga qytetarët, si mund t’ua kthejë borxhet institucioneve financiare ndërkombëtare”, thotë ai.

Ligji për Amnistinë, do të ishte lehtësues për zhvillimin e ndërmarrjeve dhe bizneseve. Profesori i Ekonomisë, Veli Lecaj, thotë për Radio Kosovën, se qeveria duhet të gjejë praktika që lehtëson zhvillimet e tyre.

“Bazuar në rregullativat ligjore dhe nëse do të nxirrej një ligj, për shembull aty ku vërehet se ka domosdoshmëri për subvencionim nga qeveria, atëherë kjo do të ishte e mirëseardhur qoftë për bizneset qoftë edhe për konsumatorët, por edhe për ekonominë e Kosovës në përgjithësi”, deklaron Lecaj.

Njohësit e kësaj fushe vlerësojnë se amnistia fiskale shpëton bizneset nga falimentimi, qytetarët nga obligimi i borxhit, derisa qeveria e Kosovës plotëson vakuumin institucional ligjor që pastron data-bazat nga borxhet e vjetra.

Gjatë viti 2016, me vendim të qeverisë së asaj kohe, bazuar në ligjin Nr.05/L-43 për Faljen e Borxheve Publike, në Kosovë ishte bërë falja e borxhit publik që përfshinte periudhën nga viti 1999 deri me 31 dhjetor 2008.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit