Një tjetër futbollist kuqezi bëhet gati t’i bashkohet kampionatit rus të futbollit. Mediat italiane bëjnë të ditur se Marvin Çuni, ndonëse është pjesë e një klubi italian si Frozinone, është shumë pranë firmës me ekipin ku luan Mirlind Daku.
“Sky” ka bërë të ditur se bisedimet mes palëve janë në stadin e avancuar dhe lojtari duket parimisht dakord që t’i bashkohet në ditët e ardhshme skuadrës së Rubin Kazan. Atje ai do të formonte dyshen e sulmit me Mirlind Dakun, i cili si për ironi të fatit po sheh më vëmendje për një transferim të mundshëm në Itali në të ardhmen.
Çuni u cilësua si “një sulmues i të ardhmes” nga trajneri Silvinjo gjatë konferencës së fundit për mediat, ku sqaroi se e shihte atë si një alternativë për qendrën e sulmit kuqezi.
Sulmuesi ka luajtur në tre ndeshje në këtë sezon me fanellën e Frozinones në Serinë B, duke shënuar në sfidën ndaj Specias.