Dyshime për devijime në punimet në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë

- Advertisement -

Rruga “Dardania” në Fushë Kosovë, një nga segmentet më të frekuentuara të komunës dhe e njohur edhe si “rruga e Durrësit”, po vazhdon të jetë në fazë punimesh që kanë sjellë ndryshime të dukshme në terren, por edhe shqetësime për mënyrën e realizimit të projektit dhe ndikimin në përditshmërinë e qytetarëve.

Nga krahasimi i dokumentacionit teknik me gjendjen në terren, në disa segmente janë vërejtur mospërputhje të mundshme në ekzekutim.

Sipas projektit për kanalizimin kabllor, kanali është paraparë me dimensione të caktuara dhe me shtresa mbrojtëse të rërës dhe zhavorrit të kontrolluar, si dhe vendosje të gypave me distanca të përcaktuara.

Megjithatë, në disa pjesë është vërejtur vendosje e gypave më afër njëri-tjetrit apo njëri mbi tjetrin, si dhe raste të mbulimit të drejtpërdrejtë me zhavorr, ndërsa në disa segmente thellësia e kanalit duket më e vogël se ajo e paraparë në projekt.

Punimet në këtë rrugë kanë ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të banorëve dhe bizneseve. Zona është shndërruar në një kantier të hapur me eskavatorë dhe mjete të rënda, duke krijuar pluhur, baltë dhe vështirësi të mëdha në qarkullim.

Pa trotuare funksionale dhe shtigje të sigurta, këmbësorët thonë se detyrohen të lëvizin në mes të rrugës, ndërsa trafiku shpesh përballet me kolona dhe ngarkesa të mëdha.

Banorët shprehen të shqetësuar sidomos për sigurinë, duke thënë se lëvizja në zonë është bërë e rrezikshme, veçanërisht për fëmijët.

Ndikimi më i madh është reflektuar tek bizneset përgjatë rrugës.

Pronarët e kafeneve dhe lokaleve thonë se që nga fillimi i punimeve, qarkullimi i klientëve ka rënë ndjeshëm, në disa raste deri në 80%. Ata ankohen se tarracat po shfrytëzohen me vështirësi për shkak të pluhurit dhe zhavorrit, ndërsa disa raportojnë edhe vështirësi financiare në mbulimin e shpenzimeve dhe pagave të punëtorëve.

Probleme janë raportuar edhe në biznese të tjera shërbimi, ku mungesa e parkingjeve po ndikon në largimin e klientëve.

Drejtori i Infrastrukturës në Fushë Kosovë, Arianit Tërmkolli, ka hedhur poshtë pretendimet për parregullsi në punime, duke i cilësuar si paragjykime dhe keqinformime. Sipas tij, projekti po realizohet në përputhje me kontratën dhe specifikat teknike.

Ai ka deklaruar se shtresat e zhavorrit po vendosen sipas standardeve të përcaktuara, ndërsa trotuaret po realizohen me thellësi prej 50 deri në 60 centimetra dhe me shtresa të zhavorrit të fraksioneve 0/6 dhe 0/32 milimetra, të cilat shërbejnë si shtresa tampon.

Tërmkolli ka sqaruar se një pjesë e punimeve në rrjetin nëntokësor kabllor po realizohet edhe nga operatorët e telekomunikacionit, të cilët kanë investuar për largimin e kabllove ajrore dhe shtyllave ekzistuese. Ai ka shtuar se projekti ka përfshirë edhe punë shtesë të paparashikuara, përfshirë vendosjen e gypave shtesë, gjë që ka ndikuar në dinamikën e punimeve.

Sipas tij, sfidë mbetet edhe koordinimi me KEDS-in, pasi infrastruktura e energjisë elektrike nuk është pjesë e kontratës aktuale, ndërsa eliminimi i shtyllave mund të bëhet vetëm pas shtrirjes së kabllove nëntokësore.

Në këtë kontekst, për Kiks Kosovën ka folur edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Fushë Kosovë, Izja Mjeku, i cili është ndalur tek problemi i menaxhimit të mbeturinave.

Ai ka thënë se grumbullimi dhe mos-bartja e mbeturinave nuk është përgjegjësi e komunës, por e kompanisë regjionale “Pastrimi”, e cila sipas tij operon me vetëm dy kamionë në të gjithë territorin e Fushë Kosovës.

Sipas tij, për shkak të situatës, kontejnerët janë grumbulluar në dy lokacione, ndërsa shportat e vogla të mbeturinave pritet të vendosen pas përfundimit të punimeve në terren.

Po ashtu, i pyetur për premtimet e mëhershme për ndërtimin e parkingjeve nëntokësore në Fushë Kosovë, drejtori Mjeku ka theksuar se aktualisht nuk ka buxhet të mjaftueshëm për realizimin e këtyre projekteve.

Kontrata për projektin “Rregullimi i Rrugës Dardania” është nënshkruar nga qeverisja e kaluar dhe kap vlerën prej 575 mijë eurosh, me afat përfundimi deri në shkurt të vitit 2027. Megjithatë, sipas komunës, operatori ka premtuar që punimet kryesore në këtë segment të përfundojnë deri në muajt gusht–shtator të këtij viti

Të ngjashme

Të fundit