Dy të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan, policia jep detaje

- Advertisement -

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 14:25 në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit, ku dy persona kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri, ndërsa një tjetër është plagosur.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konstatuar se një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda një veture.

Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit është dërguar pa shenja jete edhe një grua rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga i njëjti i dyshuar.

Një person tjetër, i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së parë në emergjencën e spitalit të Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Policia bën të ditur se, sipas informatave fillestare, dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Motivi i kësaj ngjarjeje të rëndë ende nuk dihet.

Sipas informacioneve fillestare të siguruara nga IndeksOnline, viktima dyshohet se është nga familja Bogujevci, nga fshati Livoq, ndërsa dorasi nga familja Ramushi nga Llashtica. Dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur pas problemeve familjare dhe pas kërkesës për divorc, mirëpo këto informacione ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe dy prokurorë të shtetit, si dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë përkatëse hetimore, po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të përcaktuar motivin dhe për të dokumentuar rastin.

 

Të ngjashme

Të fundit