Drita dhe Ballkani e nisin sot rrugëtimin në sezonin e ri të Superligës së Kosovës, me dy përballje që pritet të tërheqin vëmendjen në Gjilan dhe Prishtinë.
Drita, kampionia në fuqi, përballet me Llapin nga ora 16:30, ndërsa në orën 19:00 Prishtina pret Ballkanin në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në Gjilan, Drita do të synojë ta nisë me fitore mbrojtjen e titullit, ndërsa paralelisht vazhdon edhe aventurën në garat evropiane, ku është ende në garë për Ligën e Konferencës.
Përballë do të ketë Llapin e Tahir Batatinës, që pas një sezoni zhgënjyes synon të tregojë një fytyrë tjetër dhe të luftojë për objektiva më të larta.
Ndeshja tjetër e mbrëmjes zhvillohet në kryeqytet, ku Prishtina do t’i bëjë konak Ballkanit në një nga përballjet më interesante të xhiros së parë.
Dy skuadrat synojnë ta nisin sezonin me rezultat pozitiv, në një duel që pritet të sjellë rivalitet që në start të kampionatit.






