Dugolli: Kurti, më meritori për tejkalimin e krizës – nuk i nënshtrohet presionit

- Advertisement -

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli ka thënë se votimi i presidentit dhe miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara i ka dhënë vendit një stabilitet politik dhe institucional.

Por, për këtë ai ka thënë meritat kryesore i shkojnë shefit të tij në qeveri dhe parti, Albin Kurtit.

“U rrumbullaksua një proces edhe u krijua një stabilitet politik dhe institucional, gjë që meritat kryesore padyshim i shkojnë z. Kurti i cili bëri gjithçka”, ka thënë ai në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Por i pyetur nëse PDK ka pas kontribut në këtë zhbllokim të situatës, ai ka thënë se ka qenë shqetësues qasja e kryetarit të saj partie Bedri Hamza që refuzonte takimet, megjithatë sipas tij , kontribut kanë dhënë të gjithë deputetët që kanë votuar e qëndruar në sallë.

“PDK më në fund e kuptoi apo mbase nuk kishte ku të shkonte më shumë, sepse ishte pak shqetësues moskomunikimi, mostakimi edhe pak a shumë edhe irritues për qytetarët. Merita kanë gjithë deputetët që morën pjesë në seancë dhe i votuan këto dy pika”, ka thënë Dugolli.

Edhe mbrëmë sikurse që nga 16 shtatori, mijëra qytetarë –protestues ishin para Kuvendit duke kërkuar miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ku të hënë eskaluan.

Por, Dugolli mohon se ata pranuan kushtin e PDK-së si presion i protestave.

Ai tha se Kurti e njeh të drejtën e protestës dhe e kupton më mirë se kushdo, por nuk i nënshtrohet presionit.

“LVV e Albin Kurit më shumë se askush kush tjetër e njeh të drejtën e protestës, por nuk është njeri që i nënshtrohet presionit këtë duhet ta ketë të qartë secili.

Është tjetër vullneti për të gjetur zgjidhje dhe të adaptojë edhe kërkesat e atyre që ishin në sheh dhe atyre që vërtetë kishin pezëm ndaj vendimit në Hagë”, tha ai.

Të martën pak para mesnate u votua në lexim të dytë Ligji për Dhomat e Specializuara dhe disa minuta pas orës 24:00 u votua edhe presidentja e re, Justina Shiroka –Pula.

Të ngjashme

Të fundit