Analisti politik Xhavit Drenori ka kritikuar qasjen e institucioneve të Kosovës në raport me administratën amerikane dhe Bashkimin Evropian, duke vlerësuar se mungesa e koordinimit po krijon pasiguri në aspektin e sigurisë dhe të politikës së jashtme.
Duke folur në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, Drenori ka thënë se Kosova duhet të qartësojë pozicionin e saj në raport me administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Është shumë e rëndësishme një pozicionim i politikës sonë karshi administratës Trump, përkatësisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sepse ky qartësim është duke i munguar shumë. Edhe neve si shoqëri po na lihet një hapësirë e frikës për të ardhmen, sepse çdo moment krijohen pasiguri në vetë sigurinë tonë, në kuptimin e mbrojtjes”, ka deklaruar Drenori.
Ai ka vlerësuar se Kosova rrezikon të ketë përplasje të vazhdueshme me Bashkimin Evropian, duke përmendur edhe reagimet ndaj veprimeve të institucioneve të Kosovës.
Sipas tij, është e nevojshme që të gjenden kanale të komunikimit dhe koordinimit me SHBA-në, veçanërisht në rrethanat kur, siç u shpreh ai, politika ndërkombëtare po zhvillohet nën ndikimin e vendimeve të administratës Trump.
“Duhet të ketë kujdes”, ka theksuar Drenori, duke iu referuar kryeministrit Albin Kurti dhe nevojës për koordinim më të mirë në politikën e jashtme.
Gjatë emisionit, analisti politik ka folur edhe për qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se partia ka përgjegjësi politike, morale dhe institucionale për të vepruar.
Sipas Drenorit, VV-ja u ka premtuar qytetarëve se do ta zhbëjë Gjykatën Speciale, por ai ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk është e mundur në mënyrën si është paraqitur gjatë fushatave politike.
“VV e ka për obligim, edhe moral, edhe institucional. Moral, sepse u ka thënë njerëzve se do ta zhbëjë këtë gjykatë, gjë që është e pamundshme, dhe institucional, sepse është në një qeveri ku realisht duhet të ndërmarrë veprime”, ka deklaruar ai.
Drenori ka rikujtuar edhe qëndrimin e tij pas zgjedhjes së presidentes, kur, sipas tij, përgjegjësia për trajtimin e kësaj çështjeje i takonte kryeministrit Kurti.
Ai ka kritikuar, po ashtu, tendencën që përgjegjësia politike t’i bartet PDK-së, duke thënë se nevojiten hapa konkretë dhe jo shmangie e përgjegjësisë.
Në fund, Drenori ka shprehur shqetësimin se, sipas vlerësimit të tij, distancimi dhe mungesa e veprimeve për këtë çështje mund të kenë pasoja negative për qytetarët.
“Është një lloj heshtjeje dhe një distancim. Unë mendoj se protestat në rrugë do të thirren dhe kjo nuk i bën mirë popullit tonë”, ka përfunduar Drenori.






