Drenica dhe Dukagjini mbyllin pa gola

- Advertisement -

Kanë përfunduar edhe dy ndeshje të radhës të xhiros së parë në Albi Superligën e Kosovës, me Malishevën që ka regjistruar një fitore të thellë në udhëtim ndaj Vushtrrisë, ndërsa Drenica dhe Dukagjini kanë ndarë pikët pas një barazimi pa gola.

Vushtrria – Malisheva 1-6

Malisheva ka dhuruar një paraqitje bindëse në Vushtrri, duke e mposhtur skuadrën e promovuar këtë edicion në elitë me rezultat të thellë 6-1.

Mysafirët e nisën fuqishëm takimin dhe kaluan në epërsi që në minutën e pestë, kur Dulaj realizoi për 0-1.

Epërsia u dyfishua në minutën e 35-të përmes Kreshnik Ukës, duke bërë që Malisheva të shkonte në pushim me avantazh prej dy golash.

Në pjesën e dytë ritmi u rrit edhe më shumë dhe u shënuan plot pesë gola.

Kryeziu realizoi në minutën e 52-të, ndërsa Uka shënoi sërish në të 64-ën, duke kompletuar dygolëshin personal. Më pas në listën e realizatorëve u regjistruan edhe Xhylani në minutën e 72-të dhe Bushaj.

Golin e vetëm për Vushtrrinë e realizoi Sahiti.

Me këtë fitore të thellë, Malisheva e nis sezonin në mënyrën më të mirë dhe merr përkohësisht kreun e tabelës, në pritje të zhvillimit të ndeshjeve të tjera të xhiros së parë.

Skuadra e drejtuar nga Thomas Brdaric konfirmoi formën e mirë të shfaqur edhe në paraqitjet evropiane gjatë kësaj vere.

Në anën tjetër, Vushtrria e nis rikthimin në elitën e futbollit kosovar me një humbje të rëndë dhe pas kësaj ndeshjeje gjendet në fund të tabelës.

Drenica – Dukagjini 0-0

Në takimin tjetër të ditës, Drenica dhe Dukagjini nuk arritën ta gjenin rrugën drejt golit, duke e përfunduar ndeshjen me rezultat 0-0.

Drenica e nisi më mirë takimin dhe arriti ta dërgonte topin në rrjetë që në minutat e para, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Pjesa e parë më pas ishte kryesisht e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që treguan kujdes në fazën mbrojtëse.

Në 45 minutat e dyta, Drenica mori më shumë iniciativë dhe krijoi presion më të madh në drejtim të portës kundërshtare, por Dukagjini u mbrojt me sukses dhe ruajti rezultatin e bardhë deri në fund.

Kështu, të dyja skuadrat e nisin sezonin me nga një pikë, ndërsa renditja përfundimtare e xhiros së parë do të përcaktohet pas zhvillimit të ndeshjeve të mbetura.

Të ngjashme

Të fundit