Analisti politik, Agon Maliqi, ka reaguar lidhur me disa dokumentacione që janë gjetur në telefonin e të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Shehollit, e për të cilat pretendohet se janë autentike të institucioneve të inteligjencës serbe.
Maliqi ka thënë se Prokuroria ka bazë që t’i përdorë ato nëse ka fakte se Sheholli i ka marrë ato nga zyrtarë serbë dhe i ka shpërndarë pastaj.
Ai ka bërë thirrje te mediat që t’i trajtojnë me shumë kujdes të njëjtat, meqë sipas Maliqit, s’ka arsye që të besohet se një “agjenti ordiner si Sheholli”, t’i jepet qasje në dokumente të të nivelit strategjik.
Reagimi i plotë:
Vërtetësia e përmbajtjes së dokumenteve të gjetura në telefonin e një agjenti periferik si Sheholli, e që po prezantohen shpesh pa hezitim si dokumente autentike të institucioneve të Serbisë, duhet trajtuar me skepticizëm ekstrem nga mediat dhe komentuesit. Nuk mund të përdoret çdo mjet për sulme ndaj kundërshtarëve politikë dhe ideologjikë.
Prokuroria ka bazë që t’i përdorë ato dokumente në aktakuzë nëse kanë fakte se Sheholli i ka marrë ato nga zyrtarë serbë dhe i ka shpërndarë tutje (prokuroria nuk bën vlerësim mbi vërtetësinë). Mediat kanë të drejtë (madje edhe detyrë) që t’i publikojnë ato dokumente sepse janë me interes pubik, por edhe duhet të tregojnë shumë kujdes se si i interpretojnë.
Logjikisht nuk ka arsye të besohet se një agjenti ordiner si Sheholli do t’i jepej qasje në dokumente të nivelit strategjik (“strategji për islamizim të Kosovës”) apo detaje operative nga hetimet (psh. “Leptiri” për Kurtin). Duke e parë nivelin amator të shkrimeve dhe kontradiktat logjike brenda teksteve, gjasat më të mëdha janë se këto lloj dokumentesh janë thjesht sajesa që prodhohen si pjesë e asaj që në gjuhën e KGB-së njihen si “masa aktive”, e që si zakonisht e kanë për synim që të shpërlahen në opinion publik si dokumente të vërteta, për ta shkaktuar pikërisht këtë që është duke ndodhur – përçarjen dhe polarizimin në Kosovë.






