Altin Krasniqi, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit, ka reaguar pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka shprehur qëndrimin se ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në lidhje me pozitat që kanë mbajtur në strukturat e UÇK-së.
“U DËNUA UÇK-ja, JO INDIVIDËT. Nëse ua heqim pozitat që kanë mbajtur në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe i gjykojmë vetëm individualisht, mbi veprimet konkrete të secilit, ata sot do të ishin të lirë”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka theksuar se katër ish-krerët e UÇK-së më pas kanë kontribuar edhe në proceset politike që lidhen me Kosovën.
“Pikërisht për shkak të pozitave të tyre në UÇK, ata u bënë ndër figurat kryesore që negociuan dhe nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë dhe më pas kontribuuan në krijimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se, sipas tij, përmes dënimit të tyre është prekur edhe sakrifica e popullit të Kosovës.





