Pasi Real Madridi vendosi të ndahej me Alvaro Arbeloan në fund të sezonit të kaluar, disa trajnerë u përfolën si kandidatë për ta marrë drejtimin e skuadrës në “Santiago Bernabeu”.
Në fund, “Los Blancos” vendosën të rikthenin një emër të njohur, Jose Mourinhon, i cili duket se po ndërton një skuadër shumë të fortë në kryeqytetin spanjoll.
Megjithatë, para se emërimi i trajnerit portugez të zyrtarizohej, njëri prej emrave më të përfolur për këtë pozitë ishte Didier Deschamps.
Ish-përzgjedhësi i Francës pritej ta përfundonte aventurën me kombëtaren pas Kupës së Botës, gjë që nxiti spekulimet se ai ishte një nga kandidatët e preferuar të drejtuesve të Real Madridit.
Tani, sipas gazetarit francez Santi Aouna, të cilit i referohet “AS”, Deschamps ka refuzuar një ofertë nga Manchester United, me shpresën për të marrë në të ardhmen drejtimin e Real Madridit.
Trajneri që fitoi Kupën e Botës 2018 u largua nga drejtimi i Francës gjatë verës, ndërsa në vend të tij u emërua legjenda e Real Madridit, Zinedine Zidane.
Që nga atëherë, Deschamps ka mbetur pa klub, por raportohet se atij i ishte ofruar mundësia për të marrë drejtimin e Manchester Unitedit, ku pozita e Michael Carrick është gjithnjë e më e rrezikuar.
Megjithatë, thuhet se trajneri francez e ka refuzuar ofertën e gjigantit anglez, në mënyrë që ta mbajë të hapur mundësinë për të marrë një ofertë nga Real Madridi në të ardhmen.
Ndonëse Deschamps mund të shpresojë për ta drejtuar Real Madridin, një lëvizje e tillë në të ardhmen e afërt duket shumë pak e mundshme.
Madrilenët e rikthyen Mourinhon gjatë verës, duke i ofruar një kontratë trevjeçare dhe besim të plotë në drejtimin e klubit.
Në fakt, trajneri portugez është mbështetur maksimalisht në afatin kalimtar, ndërsa i është dhënë edhe një rol i rëndësishëm në vendimet për transferimet dhe fusha të tjera të funksionimit të klubit.
Për më tepër, në dhomën e zhveshjes mbretëron një atmosferë shumë më pozitive dhe unitet më i madh krahasuar me sezonin e kaluar, ndërsa edhe rezultatet kanë qenë shumë të mira. Për këtë arsye, mundësia e ndryshimeve në pozitën e trajnerit është shumë e vogël, pasi të gjithë te Real Madridi vazhdojnë ta mbështesin plotësisht Jose Mourinhon.






