Dhjetëra mijëra votues më shumë të regjistruar për votim jashtë vendit se sa në zgjedhjet e kaluara

- Advertisement -

Diaspora e Kosovës do të jetë e para që do ta përcaktojë vullnetin e saj për zgjedhjet e 7 qershorit.

Për zgjedhjet e parakohshme, votuesit jashtë vendit që kanë zgjedhur votimin përmes postës, do të mund ta realizojnë këtë proces nga 25 maji deri më 6 qershor.

Ndërkaq, kushdo që ka dashur të bëhet pjesë, ka afat vetëm edhe këtë të diel, deri në mesnatë për t’u regjistruar.

Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror Zgjedhor, deri në orën 10 të së dielës, përmes platformës elektronike janë pranuar mbi 117 mijë kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar mbi 99 mijë, ndërsa 7,621 të tjera janë refuzuar dhe mbi 10 mijë presin shqyrtim.

“Nga 99,498 aplikime të aprovuara, 22,955 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 2,590 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 73,953 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”.

Kjo shifër tregon interesim më të lartë, krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, deri më tash mbi 22 mijë më shumë të regjistruar se herën e kaluar.

Gjermania prin me numrin më të madh të votuesve të regjistruar, mbi 49 mijë, kurse Zvicra me mbi 23 mijë të regjistruar.

“Shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë: Gjermani (49,102), Zvicër (23,456), Francë (4,193), Suedi (3,750), Austri (3,165), Mbretëri e Bashkuar (2,370), Itali (2,206), ShBA (2,070), Belgjikë (2,024), Slloveni (1,400), Norvegji (1,154) dhe Finlandë (1,010)”.

Interesimi i shtuar këtë radhë i diasporës për votim nga jashtë, sipas ish-kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, vjen për shkak se herën e kaluar mërgimtarët veçse ishin në Kosovë.

“Në dhjetor të vitit të kaluar mërgata veçse kanë qenë këtu. Nuk kanë pas nevojë të regjistrohen sepse kanë votu fizikisht, dhe nuk kanë pas të drejtë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës. Ky numër që duket tash i madh është fakti se mërgata kanë zgjedh të votojnë nëpërmjet postës dhe jo fizikisht”, ka deklaruar Daka.

Afati i shkurtë për organizimin e zgjedhjeve, sipas Dakës, nuk është i mjaftueshëm që KQZ t’i eliminojë telashet që janë shfaqur me votimin nga jashtë gjatë zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

“Janë shpërfaq shumë pengesa, edhe dyshime në mënyrën se si është bartë votat, apo si janë transportu prej diasporës, apo prej ambasadave. Dhe kjo e ka ulë besimin e publikut dhe opinionit në rregullsinë e gjithë këtij procesi”.

Votimi në përfaqësi diplomatike do të organizohet më 6 qershor 2026, një ditë para hapjes së vendvotimeve në Kosovë.

Të ngjashme

Të fundit