Dështimi për presidentin, bëhet thirrje për vazhdimin e formimit të institucioneve

- Advertisement -

Kuorumi prej 80 deputetësh për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës nuk do të sigurohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Palët me 31 gusht propozuan si kandidat të përbashkët Bekim Sejdiun, ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Por, ai të martën nuk mori mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së, çka çoi në dështimin e kësaj marrëveshje.

E, kreu i partisë, Lumir Abdixhiku që mbrëmë kritikoi bashkëpartiakët kundërshtues, vazhdoi këtë qasje edhe të mërkurën.

“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdo kush. Për këtë, ja dora”, ka theksuar Abdixhiku.

Por, pavarësisht refuzimit të deputetëve të LDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje, marrëveshja është ende e vlefshme dhe Albin Kurti synon ta takojë prapë, kryetarin Lumir Abdixhiku.

“Do të zhvillojmë edhe takime edhe mbledhje, për neve, marrëveshja politike ende është valide”, ka deklaruar Kurti.

Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë 6 deputetët e LDK-së që nuk mbështesin marrëveshjen me VV-në.

E, sipas analistit Albinot Maloku, një situatë e tillë ishte e pritshme.

“Këtë raportin e tandemit Kurti- Abdixhiku nuk e kam parë prej fillimi si të rehatshëm dhe me rezultate për faktin se Z. Abdixhiku është duke vepruar totalisht në shpërputhje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjithsesi ajo është prurje që lufton për pozicionin e vet, por pa një marreveshje brenda subjektit politik provon të ketë një marrëveshje me një partner tjeter, dhe kjo nuk ndodhë”, ka theksuar Maloku.

Ndërkohë, konstituimi i Kuvendit vazhdon të mbetet pezull, për shkak të zgjedhjes së presidentit, Mirëpo, në Institutin e Kosovës për Drejtësi  thonë se këto çështje janë të ndara.

“Pavarësisht që jemi në shkelje kushtetuese ajo duhet të bëhet sa më parë që është e mundur, duhet të thirret seanca konstituive e Kuvendit përkitazi me Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të përfundohet konstituimi i Kuvendit dhe të vazhdojnë rrjedhjet e afateve për formimin e qeverisë”, ka theksuar Qemajl Marmullakaj – IKD.

Albin Kurti si kryetar i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje e ka derën e bashkëpunimit të mbyllur në PDK, e cila ka thënë se do të qëndrojë në opozitë.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Aleanca, e cila ka pranon të takohet me Kurtin vetën nëse ai pranon 6 kushtet që ajo i ka vendosur./Dukagjini/

Të ngjashme

Të fundit