Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se heshtja për vrasjet e pasluftës e ka shtyrë që të jetë i hapur me drejtësinë dhe t’i shikonte në sy katër të akuzuarit, pasi sipas tij ata kanë qenë në institucione. Por, ai shtoi se Hashim Thaçi ishte i vetmi që kërkoi në media që të zbulohen këto raste.
Ai tha se kulmi i të këqijave që i kishin ndodhur ishte vrasja e vëllait të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Është vështirë me i harru sikur mos të m’u kish vra vëllai, ndoshta isha përpjekë me i harru, por kulmi i të gjithave të këqijave që ma vranë vëllain. Një djalë i një familje kombëtare, një djalë i shkollum, kur u ba me i vy shtetit e vetit me u çu me e vra, me ia marrë jetën edhe me thanë s’di kush e vrau. Këta katërtit janë të institucioneve të Kosovës ku kanë shërby. Me u vra gjithë ata njerëz dhe mos me ditë kush i vra. Heshtje, gjithmonë heshtje. Ajo më ka shty të jem i hapur përpara drejtësisë këtu e t’i shiqoj në sy. Jam shumë i kënaqur me juve të nderuar. Zoti qoftë i kënaqur me juve si unë”, tha Imeri.
Ai pohoi se është takuar edhe me Thaçin, të cilin e kishte pyetur se pse është burgosur dhe keqtrajtuar.
“Më ka thanë se nuk e ka ditë”, tha dëshmitari, duke shtuar se i ka thënë që i vjen keq dhe se takimi ishte në fund të vitit 2016 e në fillim të vitit 2017.
“I vetmi Hashim Thaçi ka kërku në media që të zbulohen këto raste, vrasjet e LDK-së dhe e ka thirrë prokurorin e përgjithshëm në atë kohë dhe ai u deklaru”, tha Imeri.
I njëjti shtoi se për rastin e tij askush nga UÇK-ja nuk e ka kontaktuar për ta hetuar si rast pas luftës.
Me kaq përfunduan pyetjet e avokates se viktimave, Maria Radziejowska, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq