Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK, Ermal Sadiku, ka reaguar pas takimit të Kryeprokurorit të Shtetit me familjen Dehari, duke kërkuar nga ai që të marrë përgjegjësi për zbardhjen e rasteve që presin drejtësi në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Sadiku ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit duhet të angazhohet për zbardhjen e çdo rasti, pa dallim, duke theksuar se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit dhe duhet të trajtohen njësoj edhe nga Prokuroria.
Ai ka përmendur edhe familjet që prej vitesh presin drejtësi dhe zbardhjen e rasteve të rënda që kanë përjetuar.
“Tash, mos harro: ke me i pritë në zyrën tënde të gjitha familjet që kanë raste të rënda nga e kaluara, të cilat ende presin drejtësi dhe zbardhje”, ka shkruar Sadiku.
Në fund, deputeti i LDK është drejtuar drejtpërdrejt Kryeprokurorit Zejnullah Gashi duke i kërkuar që të mos sillet si politikan, por ta përmbushë detyrën me përgjegjësi ose të largohet nga posti.
“S’je politikan. Ose përmbushe detyrën me përgjegjësi, ose çohu prej asaj karrige dil lyp vota”, ka shkruar Sadiku.






