Ajvazi: Pesë herë më shtrenjtë paguajmë për rrymën e importuar krahasuar me prodhimin vendor të energjisë

- Advertisement -

Kushtrim Ajvazi, ekspert financiar dhe përfaqësues i prodhuesve vendorë, në EURO n’T7 ka thënë se për çdo megavat që nuk e prodhojmë në vendin tonë, duhet ta importojmë dhe raporti prodhim-import është pesëfish më i shtrenjtë. Ajvazi ka thënë se kërkesa për energji është duke u rritur vazhdimisht, derisa kapacitetet tona prodhuese nuk arrijnë ta mbulojnë gjithë konsumin.

Shifrat zyrtare, sipas tij, tregojnë se në dhjetor të vitit të kaluar kërkesa për energji ka shkuar në 1.6 giga, ndërsa kapacitetet tona nuk e mbulojnë këtë kërkesë, si pasojë e së cilës rriten kërkesat për import të energjisë elektrike.

“Është shumë me rëndësi se kur ne importojmë energji elektrike, në çfarë kohe. Në kohën e pikut, çmimi është tepër i lartë, pesë herë më i lartë se çmimi i energjisë që prodhojmë në Kosovë. Duhet menaxhim shumë i mirë i prodhimit të energjisë në termocentralet e KEK-ut. Ne e dimë që blloqet janë vjetërsuar shumë, por planifikimi po mungon. Historikisht, mesa di, nuk ka ndodhur asnjëherë që, kur shkon një bllok në remont, të rikthehet brenda planit. Gjithmonë ka pasur vonesa dhe ato janë gjithmonë kosto shtesë. Të njëjtat grumbullohen dhe duhet t’i paguajë qytetari”, ka thënë Ajvazi.

Ajvazi ka thënë se, për shkak edhe të mosplanifikimit të mirë dhe blerjes ad hoc të energjisë elektrike, çmimi i energjisë elektrike është dashur të rritet përsëri këtë vit, por kjo nuk është bërë për shkak të kalkulimeve politike.

“Çmimi i energjisë elektrike është dashur të rritet edhe këtë vit për shkak të kostos së lartë të importit që po paguajmë, edhe për shkak të planifikimit të dobët nga institucionet kompetente. Çmimi nuk u rrit këtë vit për shkak të kalkulimeve politike, pra ky ishte kalkulim i pastër politik. Çmimi është dashur të rritet, rryma e importuar është paguar prej KESCO-s, KEK-u nuk e ka prodhuar, konsumatorët e kanë konsumuar, ajo rrymë është importuar. Rrymën e ka importuar KESCO, këta nuk kanë nxjerrë para nga xhepi, detyrimisht dikush duhet ta mbulojë atë kosto. Kjo kosto, nëse jo këtë vit, vitin tjetër do të paguhet dyfish nga qytetarët”, ka thënë Ajvazi.

Ajvazi ka thënë se, në bazë të analizës së çmimeve të prodhimit dhe importit, çmimi i energjisë është dashur të rritet për 8%.

 

Të ngjashme

Të fundit