Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se së bashku me sekretaren e përgjithshme të Partisë, Vlora Çitaku, ka denoncuar në Inspektoratin Policor të Kosovës një zyrtar policor, për të cilin pretendon se e ka cenuar fizikisht në sallën e seancës plenare.
Musliu tha se, si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri për 15 vjet, ka punuar për një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, ndaj, sipas saj, nuk mund të heshtë përballë një rasti të tillë, shkruan Scanner.
Ajo theksoi se qëllimi i denoncimit nuk është vetëm mbrojtja e saj personale, por edhe mbrojtja e integritetit të Policisë së Kosovës.
Musliu kërkoi gjithashtu sqarim se kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare dhe mbi çfarë baze është bërë ndërhyrja.
Sipas saj, duhet të sqarohet publikisht se kush ka dhënë urdhrin, kush e ka ftuar Policinë dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit.
Ajo kërkoi që të hetohet jo vetëm veprimi i policit, por edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë në sallën e Kuvendit.
“Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë”, tha Musliu.
Në fund, Musliu u bëri thirrje policëve dhe shërbyesve civilë që t’i qëndrojnë besnikë ligjit, Kushtetutës dhe detyrës profesionale, duke mos iu nënshtruar presioneve apo urdhrave politikë që cenojnë pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit.
Postimi i plotë:
Sot, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të Partisë, znj. Vlora Çitaku, denoncuam në Inspektoratin Policor të Kosovës dhe kërkuam hetim për policin i cili më cenoi fizikisht në vendin tim të punës, saktësisht në sallën e seancës plenare.
Duke qenë se si anëtare e Komisionit Parlamentar për Siguri, për 15 vite rresht kam punuar fort për të pasur një Polici profesionale, të depolitizuar dhe me integritet, nuk mund të hesht përballë një rasti të tillë.
Ky reagim nuk bëhet për të mbrojtur veten time, por, para së gjithash, për të mbrojtur institucionin e Policisë së Kosovës dhe integritetin e tij, në mënyrë që Policia të mos rrëshqasë në urdhrat dhe ndikimet e asnjë partie politike.
Por, krahas hetimit për veprimet e policit, si deputete dhe si qytetare te Republikës së Kosovës, kërkuam të dimë edhe diçka tjetër: Kush e ka ftuar Policinë në sallën e seancave plenare?
Ky është një informacion që duhet ta dijë jo vetëm Kuvendi, por edhe opinioni publik. Në një seancë konstituive, ku Kuvendi ende nuk është konstituuar, duhet të jetë e qartë se kush ka autorizuar praninë dhe ndërhyrjen e Policisë brenda sallës.
Sipas rregullave të procedurës së seancës konstituive, i vetmi autoritet që mund ta ftojë Policinë në sallë nese paraqitet nevoja është mandatar-i për ta udhëhequr seancën, Ne rastin konkret z. Avni Dehari, atëherë kjo duhet të sqarohet publikisht.
Kush e ka dhënë urdhrin? Kush e ka ftuar Policinë? Dhe mbi çfarë baze është ndërhyrë në sallën e Kuvendit?
Këto nuk janë pyetje personale. Janë pyetje për përgjegjësinë institucionale.
Sepse kur Policia hyn në sallën e Kuvendit dhe një deputet cenohet fizikisht, nuk mjafton të hetohet vetëm polici që ka kryer veprimin. Duhet të hetohet edhe zinxhiri i përgjegjësisë dhe urdhrit që e solli Policinë aty.
E lartpermenda se kam punuar për 15 vite rresht që Policia e Kosovës të jetë profesionale, e pavarur dhe me integritet. Nuk do të hesht tani, kur pikërisht këto parime duhet të mbrohen më shumë se kurrë.
Policia i shërben ligjit dhe Republikës së Kosovës, jo urdhrave politikë.
Prandaj, i bëj thirrje çdo polici dhe çdo shërbyesi civil në Republikën e Kosovës që t’i qëndrojë besnik ligjit, Kushtetutës dhe detyrës së vet profesionale, e të mos i nënshtrohet asnjë diktati, presioni apo urdhri politik që cenon pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të shtetit.






