Dënimi i krerëve të UÇK-së, Hamza: Do të takohem me liderët e partive politike

- Advertisement -

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Pas mbledhjes së PDK-së, Hamza tha se në parti është vlerësuar se vendimi është i padrejtë, i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në fakte.

“Sot, PDK ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte, është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, deklaroi Hamza.

Ai tha se vendimi, sipas PDK-së, ka devijuar nga drejtimi që, sipas tij, ishte përcaktuar me votimin në Kuvend për themelimin e Dhomave të Specializuara.

Hamza paralajmëroi se PDK-ja do të ndërmarrë veprimet që i konsideron të nevojshme dhe do të zhvillojë komunikim me liderët e subjekteve të tjera politike.

“PDK do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi”, tha ai.

Sipas Hamzës, ekziston shqetësimi se vendimi mund të përdoret nga Serbia për ta dëmtuar Kosovën në të ardhmen.

Të ngjashme

Të fundit