Kështu është shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në konferencë për mediat tha se vendimi i djeshëm për dënimin me 1 vit burg të Ervin Salianjit është “akt politik hakmarrje e grupeve kriminale ndaj një deputeti të opozitës”.
“Por krahas vendimit politik jemi detyruar të respektojmë vendimin personal të Salianjit që të përballet me të keqen edhe me koston të shkojë në burg pa prova. Kjo sakrificë e Salianjit, sakrificë në emër të çdo demokrati do duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për cilindo prej nesh. Kur një deputet i opozitës çohet në burg si shenjë hakmarrje e Edi Ramës rrezik për këdo. Me vendimin e djeshëm nuk ka rënë vetëm shteti ligjor”.
Bardhi tha githashtu se nga ky moment, nuk do të ketë asnjë marrëdhënie normale në Kuvend.
“E siguroj Ramën që me burgosjen poltike të Salioanjit, nuk tremb askënd, por na jep edhe më shumë forcë se ajo që kemi bërë deri tani është e pamjaftueshme për tu përballur me monstrën poltike që shqiptarët kanë parë gjatë këtyre viteve. Këtë do ta shihni në ditët në vijim, ne e kemi marrë vendimin se çfarë duhet bërë. Ai parlament ka humbur misonin për të cilin shqiptarët na kanë cuar në atë sallë. Nuk na kanë cuar që deputetin e opozitës pa ligj pa prova ta çosh në burg, ndërsa atë që ke për burg ti japësh imunitet poltik me karton të kuq ndaj vendimeve të Kushtetueses”.
Sot Prokuroria e Tiranës ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë shkresën për vendimin rreth dënimit të deputetit Ervin Salianji, transmeton albanianpost.
Kjo shkresë, do t’i shërbejë Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, por jo që në çastin e parë, pasi siç bëhet me dije, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, do të do të zbatojë drejtpërdrejt Nenin 21, pika 2, dh.
Përmes këtij neni, do të ketë thjesht një njoftim në seancën e së hënës nga kryeparlamentarja, ku do të komunikohet heqja e mandatit të Salianjit, pas vendimit të formës së prerë të Apelit.
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), i ka dërguar letër kryeparlamentares Elisa Spiropali.
Prokuroria, sipas Bardhit, po nxitohet për arrestimin e Salianjit.
Përmes letrës drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Bardhi ka kërkuar – lidhur me çështjen e Salianjit – mbledhje urgjente të Këshillit të mandateve.
“Në përputhje me nenin 73, pika 2 e Kushtetutës, dhe nenit 13 të Rregullores, kërkojmë mbledhjen urgjente të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, për të rivendosur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, frenimin e akteve politike ndaj deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, dhe rikthimin e kushtetutshmërisë”.
Referuar letrës, thuhet se me një akt hakmarrës politik, Gjykata e Apelit ka urdhëruar burgosjen e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, një zyrtari të opozitës, për një krim të pakryer dhe për një çështje të fabrikuar nga segmente të caktuara të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë.
“Ky akt politik dhe që cenon themelet e shtetit demokratik, prek integritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe cenon mandatin e një deputeti të opozitës”, ka theksuar Bardhi në letër.
Dhe se “po në një procedurë ekstra ligjore, pa autorizim të Kuvendit, me një nxitim të pa shpjegueshëm, Prokuroria po ndjek procedurën për arrestimin e deputetit të opozitës”.
Bardhi ka shtuar se sipas nenit 73, pika 2, “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme, apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
Sipas tij, këto veprime të organeve të drejtësisë, që cenojnë parimet bazë të shtetit të së drejtës, kanë krijuar një situatë alarmante të goditjes politike ndaj opozitës.
“Dënimi pa ligj e prova i deputetëve të opozitës, duke shpërfillur autoritetin e Kuvendit të Shqipërisë, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, duke mos arsyetuar masat represive ndaj deputetëve të opozitës, është akt i paprecedentë në një shtet demokratik”.
Gjykata e Apelit ka dhënë vendimin për Salianjin dje, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për dënimin e tij me 1 vit burg, nën akuzën për “Kallëzim të rremë” mbi çështjen “Babale”.
Ai akuzohet për denoncimet ndaj Qeverisë për lidhje me trafikantë dhe personazhe të krimit të organizuar.
Sakaq, vendimi i marrë është përfundimtar dhe pritet që prokurori i çështjes të firmosë urdhërekzekutimin, sipas të cilit Salianji duhet të kryejë dënimin me një vit burg.
Salianji preket ndërkohë edhe nga ligji i Dekriminalizimit. KQZ i heq mandatin aktual dhe e ndalon të jetë në listën e deputetëve jo vetëm në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, por dhe të vitit 2029.
Ndërkohë, vetë Salianji ka reaguar duke thënë se gjykata kishte “ardhur me vendim të parapërgatitur”.
Sipas tij, kjo vendimmarrje është politike dhe se është i pari i burgosur politik në 34 vite.
“Do të jem në një fushatë të jashtëzakonshme. Jam i dënuari i parë politik pas 34 vitesh. Do ta bëj nga burgu”, ka thënë ai mes të tjerash.
Sipas tij, seanca e kaluar u shty për t’i dhënë mundësi Fatmir Xhafajt për të sjellë nëpërmjet avokatëve të tij, vendimin me vulën e butë.
“Është njësoj sikur të të gjykojë një funksionar i PS-së. Një nga gjyqtaret është kunata e Belinda Ballukut. Ky është dënim politik, njësoj si agjitacioni e propaganda dikur. Kam bërë një betejë për shoqërinë”.
Çfarë përfaqëson “Babalja”?
Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë për akuzën e “kallëzimit të rremë” lidhur me inskenimin e audio-përgjimit, me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në trafikun e drogës.
Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.
Videot e publikuara nga deputeti Salianji do të ndiqnin njëra – tjetrën.
Ai publikoi një video ku shfaqej Fredi Alizoti, kunati i Babales, i cili shprehej se “Taulant Balla dhe Ardi Veliu i kishin kërkuar të deklaronte se kishte imituar vëllanë e Xhafajt”.
Por Alizoti në Prokurori dëshmoi se vetë Babalja i kishte ofruar 100 mijë euro për të realizuar imitimin e zërit.
Në lojë u futën ekspertët nga Mbretëria e Bashkuar.
Ata me kërkesë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë vërtetuan se audio-përgjimi ishte i sajuar dhe jo autentik.
Kjo do të mjaftonte që Prokuroria e Krimeve të Rënda të niste hetimin ndaj Albert Veliut, Fredi Alizotit, Ervin Salianjit dhe Jetmir Olldashit.