Dënime deri në 20 mijë euro, çka parasheh ligji për maturën shtetërore në Kosovë?

- Advertisement -

Testi i maturës shtetërore mbahet çdo vit.

Por rrallëherë kalon pa u evidentuar raste të kopjimit, sidomos në rrjete sociale.

Kjo ka bërë që organizimi i këtij testi të jetë goxha sfidues.

Por së fundmi, në Kuvend është miratuar një projektligj i ri që synon të trajtojë këto sfida.

Detajet e tij i tregoi për televizionin kryetarja e Komisionit për Arsim, Arjeta Fejza.

“Në kapitull 3 përcaktohen saktë kompetencat e institucioneve dhe përgjegjësi që ato i kanë në raport me menaxhimin e provimit të maturës. Pastaj në kapitullin pesë më saktësisht përcaktohet siguria e dokumentacionit arkivimi, pra një proces për të cilin ka pasur vërejte në të kaluarën dhe në kapitullin gjashtë tregohen kundërvajtjet në raport me shkeljet që këtij ligji në këtë proces. Ne besojmë që ky projektligj është një përgjigje për këto sfida edhe besojmë seanca pas mbledhjes së Komisionit që do ta trajtojë nen për nen, do ta miratojë dhe do të ndihmojë në përmirësimin e organizimit të provimit”, thotë kryetarja e Komisionit për Arsim, Arjeta Fejza.

E qëllimi i gjithë këtij projektligji mes tjerash është që të përcaktohen përmbajtja, kushtet dhe mënyra e organizimit të provimit.

Aty tregohen qartë edhe veprat që konsiderohen të jashtëligjshme.

“Në kuptim të këtij Ligji, kundërvajtje konsiderohet: 1.1. Qasja e paautorizuar në dokumente dhe të dhëna që klasifikohen si sekrete ose mundësimi i qasjes në to në mënyrë të paautorizuar; 1.2. Shkelja e sekretit të informacionit ose dokumenteve zyrtare, përfshirë materialet testuese dhe shpërndarja e tyre në mënyrë të paautorizuar; 1.3.Të bërit e mundur, nga ana e personit zyrtar, aktiviteti kopjues ose keqpërdorues sistematik në ambientet ku mbahet provimi shtetëror i maturës”.

Këto janë vetëm disa nga kundërvajtjet për të cilat ka edhe sanksione me gjobë.

Sipas Ligjit, varësisht se kush e kryen veprën dhe cilën pikë të këtij Ligji e shkel, mund të dënohet nga 1mijë euro e deri në 20 mijë euro.

E ekspertët e arsimit kërkojnë që i gjithë fokusi të jetë te zbatimi i tij.

“Ndryshimi kryesor është ai që operacionalisht e prek zbatimin e Ligjit në qendrat e testimit. Është keqadministrimi problemi kryesor që e dështon jo vetëm Ligjin aktual por edhe cilindo Ligj tjetër në ardhje. Sa do të mirë të prezantojnë neve në letër testin e maturës, në fund zbatimi i tij po varet se si po administrohet në qendra të testimit”, thotë njohësi i arsimit, Rinor Qehaja.

Ky Ligj pritet të trajtohet të hënën në Komisionin për Arsim, duke përfshirë komentet dhe propozimet e deputetëve. /Tëvë1/

 

Të ngjashme

Të fundit