Komentatori politik, Arton Demhasaj, ka akuzuar qasjen politike të kryeministrit Albin Kurti në proceset e negociatave për formimin e institucioneve në Kosovë, duke e cilësuar atë si kontradiktore dhe jo të sinqertë në raport me partnerët politikë.
Demhasaj tha se në debatet publike shpesh po mbrohet një interpretim i rregullave të parlamentarizmit, ndërsa sipas tij në praktikë po tentohet të ndryshohet mënyra se si funksionon sistemi politik.
“Ju çka vini me mbrojt në studio Vetëvendosjen edhe rregullat e parlamentarizmit në botë mundoheni me i ndryshu”, tha Demhasaj në Politiko në Kanal10.
Ai kritikoi ashpër qasjen e kryeministrit Kurti, duke e quajtur atë “pazarxhi politik”, dhe duke thënë se në komunikimin politik janë dhënë mesazhe të ndryshme në raport me procesin e marrëveshjeve për qeverisje dhe institucionet shtetërore.
“Sepse kjo është lojë e fëlliqur. Kurti është pazarxhiu më i keq që ekziston. Pazarxhi edhe pikë”, shtoi Demhasaj.
Duke iu referuar një takimi fillestar mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Demhasaj tha se aty është diskutuar mundësia ku LDK ka propozuar ose për një marrëveshje politike për bashkëqeverisje, ose për një presidenti konsensual.
Sipas tij, nëse qëllimi ka qenë vërtet arritja e një koalicioni qeverisës, atëherë nuk do të duhej të prezantohej publikisht ideja e presidentit konsensual, por të vazhdonin negociatat për ndarjen e posteve ekzekutive.
Demhasaj shtoi se LDK-ja, në atë kohë, sipas tij, ka qenë e hapur për diskutime, por marrëveshja nuk është finalizuar për shkak të mungesës së vullnetit politik.
“Nëse takimi i parë ka ndodh Abdixhiku e Kurti, edhe është diskutuar, e Abdixhiku ka thënë se jemi ose për marrëveshje politike, ose për president konsensual. Nëse Kurti ka dashtë në atë kohë marrëveshje politike me LDK-në, nuk ka pasë nevojë me mashtru popullin për president konsensual, por me vazhdu negociatat me LDK-në, me thënë se po duam me bë marrëveshje koalicioni e po ia japim këto ministri, këto pozicione e unë e dua presidentin, ndoshta LDK e kishte pranu se i kishin diskutuar, por nuk e ka dashtë.” tha tutje Demhasaj.






