Kevin De Bruyne dhe Napoli raportohet se janë gati të ndajnë rrugët pas vetëm një sezoni, ndërsa janë angazhuar ndërmjetës për t’i gjetur mesfushorit belg një klub të ri në Turqi ose në Arabinë Saudite.
Mesfushori pritej ta vazhdonte karrierën pikërisht në një nga këto destinacione pasi Manchester City vendosi të mos ia rinovonte kontratën verën e kaluar.
Megjithatë, ai zgjodhi Napolin, pjesërisht edhe për stilin e jetesës që ofron qyteti italian.
Eksperienca e tij në Itali, megjithatë, rezultoi zhgënjyese, kryesisht për shkak të një dëmtimi serioz që e mbajti jashtë fushave për disa muaj.
Pas rikthimit, reprezentuesi belg nuk e fshehu pakënaqësinë ndaj qasjes taktike shumë mbrojtëse të Antonio Contes.
Situata nuk u përmirësua as me ardhjen e trajnerit të ri, Max Allegri, i njohur për një stil loje edhe më të orientuar drejt mbrojtjes.
De Bruyne, i cili mbushi 35 vjeç muajin e kaluar, tashmë është gati për kapitullin e fundit të karrierës së tij si futbollist.
Sipas raportimit të “L’Equipe”, përfaqësuesit e tij kanë angazhuar ndërmjetës për t’i gjetur një destinacion të ri.
Kontrata e belgut me Napolin është e vlefshme deri në qershor të vitit 2027, ndërsa klubi italian ka edhe opsionin për ta zgjatur atë edhe për një vit tjetër.
Galatasaray kishte shfaqur interes për mesfushorin edhe më herët, ndërsa media franceze raporton se interesim konkret ka edhe nga klube të Superligës turke dhe Saudi Pro League.
Duke qenë se De Bruyne iu bashkua Napolit si lojtar i lirë pas largimit nga Manchester City, besohet se klubi italian është i gatshëm ta lejojë të largohet për një shumë simbolike, vetëm për të hequr nga bilanci pagën e tij të lartë.






