“Dardanët” tashmë kanë marrë rrugë drejt Vjenës, ku Kosova të dielën do të përballet me Austrinë në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ndeshja do të zhvillohet në “Ernst Happel Stadion”, me fillim nga ora 18:00, ndërsa tifogrupi zyrtar i Kosovës ka bërë thirrje për mobilizim të madh të shqiptarëve që do të jenë të pranishëm në kryeqytetin austriak.
Përmes një komunikate, “Dardanët” kanë njoftuar se nesër nga ora 13:00 do të mblidhen së bashku me anëtarët e grupit dhe shqiptarët e tjerë, për të vazhduar më pas drejt stadiumit.
“Ne si ‘Dardanë’ tashmë vetëm që kemi marrë rrugë drejt kryeqytetit austriak për t’i përkrahur djemtë tanë. Ju bëjmë thirrje që nesër të gjithë anëtarët e grupit tonë dhe të gjithë shqiptarët tjerë që do të jenë pjesë e stadiumit, të mblidhemi nga ora 13:00 për të vazhduar pastaj së bashku në stadium”, thuhet në komunikatën e tyre.
“Dardanët” janë shprehur optimistë për një tjetër paraqitje pozitive të Kosovës, duke kujtuar nisjen bindëse të kësaj kampanje.
“Ashtu siç e kemi nisur furishëm dhe me paraqitje bindëse këtë kampanjë kualifikuese, jemi besimplotë që edhe nesër do të dalim me rezultat pozitiv. Këta djem, kudo që të luajnë, brenda apo jashtë, asnjëherë nuk do të jenë vetëm”, thuhet më tej.
Tifogrupi ka theksuar se edhe në Vjenë pritet që Kosova të ketë mbështetje të fuqishme nga tribunat.
“Edhe nesër stadiumi do të jehojë shqip, si kurdoherë, ngaqë këta djem janë përfaqësimi më i mirë i Republikës së Kosovës dhe krenaria e mbarë shqiptarëve”, thuhet në fund të komunikatës.
“BESA, BESË!”, përfundon thirrja e “Dardanëve.






