Çollaku skeptik: S’shoh zgjidhje për Presidentin, vendi po shkon drejt zgjedhjeve

- Advertisement -

Analisti Bekim Çollaku ka shprehur skepticizëm për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, Çollaku tha se zhvillimet e fundit e bëjnë të vështirë sigurimin e votave të nevojshme dhe se, nëse kjo mbetet kusht për konstituimin e institucioneve, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje.

“Në shikim të parë, të lënë përshtypjen se është bërë progres mirëpo kjo i bie që duhet të kemi edhe një palë zgjedhje pastaj me siguri që përkrahja për presidentin e ardhshëm mund të shkojë në 76-77 mirëpo ne të gjithë e dimë edhe zotëri Kurti e din më mirë se gjithë tjerët që së paku duhet t’i ketë 80 vota kandidati apo kandidatja për president dhe duke parë këtë çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit, unë jam skeptik se mund të gjendet ndonjë zgjidhje për çështjen e presidentit, dhe nëse ky është kushti i zotëri Kurtit në procesin e konstituimit të institucionet të reja, atëherë kjo nënkupton që vendi do shkojë përsëri në zgjedhje. Dhe mendoj që pavarësisht kostos financiare që kjo do të ketë për buxhetin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, pavarësisht pasojave që do të ketë me humbjen e shumë granteve që vijnë nga Bashkimi Evropian dhe nga institucione të tjera financiare ndërkombëtare, mendoj që nuk është fundi i botës që në mungesë të zgjidhjeve politike të mirëfillta, qytetarët përsëri me votën e tyre të përcaktojnë fuqinë e secilit subjekt politik që do të garojnë zgjedhjet ardhshme”, tha Çollaku.

Ndër të tjera, ai potencoi se nuk duhet të përjashtohet aftësia dhe fuqia e votës së qytetarit të Republikës së Kosovës për t’u emancipuar në mënyrën se si votojnë, për t’u emancipuar në mënyrën se kujt ia japin besimin, për të kuptuar se kush është i sinqertë, kush është i pasinqertë, kush me të vërtetë dëshiron fuqizimin e institucioneve të Kosovës, e kush dëshiron kontrollin e tyre dhe jo fuqizimin e tyre, kush është më tepër i prirë që vendin ta demokratizojë e kush është më tepër i prirë që vendin ta kontrollojë.

Të ngjashme

Të fundit