Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku ka thënë se siguria në Kosovë është e qëndrueshme shikuar nga terreni dhe matësit e tjerë të sigurisë dhe se nuk do të ketë luftë.
Çollaku, i ftuar në emisionin “Info plus” në RTK, tha se shikuar nga aspekti i përgjithshëm dhe përcjellja në vazhdimësi e gjendjes së sigurisë në Kosovë dhe sfidave të mundshme, ai për dallim nga zyrtarët apo folës të tjerë publik në cilësi të ndryshme, nuk është shprehur asnjëherë se do të ketë luftë, pasi sipas tij nuk do të ketë luftë.
“Tendenca për të përhapur këtë konflikt dhe për të krijuar konflikte të reja ka qenë në vazhdimësi pjesë e skenarëve të ndryshme të Rusisë dhe interes strategjik i Rusisë, që përmes satelitëve të ndryshëm, në rastin konkret të Serbisë, të përhap krizën në kuptimin e krijimit e vatrave të reja të krizës në Ballkan dhe më gjerë. Fatmirësisht deri më sot nuk ka ndodh një gjë e tillë”, tha ai.
Gjithashtu Çollaku u shpreh se siguria nuk është absolute as në vendit e zhvilluara mirëpo janë dy faktor që interferojnë dhe janë tregues të mirë dhe real të gjendjes së qëndrueshme të sigurisë në Kosovë.
“Ndër këta faktor që interferojnë dhe janë tregues të mirë dhe real të gjendjes së qëndrueshme të sigurisë janë dy kryesorë: Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka pretendime territoriale, pra vazhdimisht është në konsolidim në testime të sigurisë dhe në bashkëveprim me KFOR-in, EULEX-in dhe politikat e ndërkombëtarëve. Dhe e dyta misioni ndërkombëtar KFOR dhe politika e përgjithshme tani e sforcuar dhe e rikonfirmuar e Aleancës Veriatlanike në krye me SHBA-në dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm për sigurinë në nivel regjional dhe botëror siç është Britania e Madhe. Të gjithë këta faktorë e konfirmojnë mbështetjen e pakursyer për Kosovën në kuptimin e ruajtjes së integritetit territorial të saj“ , tha ai.
Tutje Çollaku shtoi se kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe dislokimi i forcave serbe afër kufirit, manovrimet e ndryshme në distanca të caktuara afër kufirit e më pas tërheqja është më shumë një luftë psikologjike.