Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka falënderuar dhe përgëzuar protestuesin Çlirim Haziri, i cili për 21 ditë radhazi ka qëndruar në ballë të protestave kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe për mbrojtjen e UÇK-së me ligj.
Përmes një postimi, Çitaku ka thënë se Çlirimi është bërë simbol i revoltës qytetare, duke e lidhur qëndresën e tij me figurën e babait të tij, heroit të luftës, Xhavit Haziri.
Postimi i plotë:
Çlirim, ti e ke ba krenar babën!
21 ditë radhazi. Ditë e natë. Në ballë të protestës kundër aktgjykimit të padrejtë në Hagë. Në ballë të kërkesës për mbrojtjen e UÇK-së me ligj.
Në zanin tënd, mijëra qytetarë gjetën zanin e tyre. Në qëndresën tënde, forcën për të vazhduar edhe një ditë më shumë.
S’kishte si të ndodhte ndryshe. Babai u ngrit për lirinë. Ti ngrihesh për dinjitetin e atyre që na e sollën atë. E njëjta dashuri për Kosovën, nga një brez te tjetri. Si një rrëfim epik që vazhdon të shkruhet me dashuri për vendin.
Emri yt mbart ëndrrën e brezit të heroit Xhavit Haziri. E ti, Çlirim, i dhe asaj ëndrre za e vepër. U bëre simbol i revoltës qytetare dhe i vlerave që na bashkojnë e duhet të na mbajnë bashkë.
Çlirim, mos u ndal. Ruaje atë za të sinqertë dhe atë zemër patrioti që të nxori në shesh. Qytetarët kanë ende shumë për të thënë përmes teje. Rruga drejt drejtësisë për çlirimtarët tanë vazhdon.
Faleminderit, atdhetar!






