Çitaku pas vrasjes së gruas shtatzënë: A ka ndonjë vend të sigurt për gratë?

- Advertisement -

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje të re, e cila, sipas saj, u vra nga bashkëshorti i saj në shtëpinë e tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka ngritur shqetësimin për sigurinë e grave dhe ka thënë se dhuna ndaj tyre duhet të jetë jo vetëm e dënueshme penalisht, por edhe e patolerueshme nga shoqëria.

“A ka ndonjë vend të sigurt për gratë?
Në rrugë, jo.
Në punë, jo.
E, fatkeqësisht, as në shtëpi jo.

Një grua e re u vra brutalisht nga bashkëshorti i saj. Në shtëpinë e vet. Aty ku do të duhej të ishte më e sigurta.

U vra me foshnjën në bark.
U vra sepse, fatkeqësisht, ende është lehtë të vrasësh gra”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka kritikuar edhe mënyrën se si shoqëria shpesh kërkon arsyetime për dhunën ndaj grave, duke theksuar se për vrasjen e një gruaje nuk mund të ketë as motiv, as arsye dhe as justifikim.

“Ligji të dënon, por shoqëria shumë shpesh të gjen arsyetime. Familja të mbron. Rrethi kërkon motive. Dikush gjithmonë pyet çfarë ka ndodhur mes tyre, çfarë ka bërë ajo, çfarë e ka shtyrë atë.

Asgjë.
Nuk ka motiv. Nuk ka arsye. Nuk ka justifikim për vrasjen e një gruaje”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka bërë thirrje për një ndryshim të qëndrimit shoqëror ndaj rasteve të dhunës ndaj grave, duke kërkuar që familja e autorit të distancohet nga krimi.

“Sot, përtej kërkesës për drejtësi dhe dënim maksimal, na duhet një ringjallje shoqërore. Familja e dorasit duhet të distancohet nga krimi, jo ta marrë në mbrojtje autorin e të kërkojë justifikime për të.

Dhuna ndaj grave duhet të jetë jo vetëm penalisht e dënueshme, por edhe shoqërisht e patolerueshme. Dhunuesi duhet ta dijë se nuk do ta mbrojë as heshtja, as familja, as rrethi, as mentaliteti që përherë gjen një arsye për ta fajësuar gruan”, ka shkruar Çitaku.

Të ngjashme

Të fundit