Më 27 nëntor 2026 nuk përfundon afati për dorëzimin e dosjeve të plota të apelit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, por afati për paraqitjen e njoftimit për apelim.
Këtë e ka sqaruar avokati Ardian Bajraktari, duke bërë dallimin mes dy fazave të procedurës së apelimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sipas tij, pas paraqitjes së njoftimit për apel, palët kanë edhe 60 ditë kohë për të dorëzuar dosjet e plota të apelit, ku paraqiten në mënyrë të detajuar argumentet dhe bazat juridike për kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë.
Afatet për këto procedura përcaktohen në rregullat 176 dhe 179 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara.
Rregulla 176 përcakton se njoftimi për apel duhet të paraqitet brenda 30 ditësh nga aktgjykimi me shkrim i dënimit, ndërsa rregulla 179 përcakton afatin prej 60 ditësh për dorëzimin e dosjes së plotë të apelit, duke filluar nga paraqitja e njoftimit për apel.
Afati fillestar për njoftimin e apelimit ishte caktuar më 16 tetor 2026, por pas kërkesës së përbashkët të ekipeve mbrojtëse për shtyrje deri më 15 dhjetor, Paneli i Apelit e miratoi pjesërisht kërkesën dhe e caktoi 27 nëntorin si afat përfundimtar. I njëjti afat vlen edhe për Zyrën e Prokurorit të Specializuar
Mbrojtja e kishte arsyetuar kërkesën për shtyrje me kompleksitetin dhe vëllimin e aktgjykimit prej 2 mijë e 89 faqesh, afatet e tjera procedurale dhe mungesën e përkthimit të aktgjykimit në gjuhën shqipe.
Bajraktari ka theksuar se pas përfundimit të afatit të 27 nëntorit fillon të rrjedhë afati tjetër prej 60 ditësh për dorëzimin e dosjeve të detajuara të apelit.
Mbetet të shihet nëse ekipet mbrojtëse do të kërkojnë shtyrje edhe për këtë fazë të procedurës dhe nëse Paneli i Apelit do ta miratojë një kërkesë të tillë.
Aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit u shpall më 16 shtator 2026 dhe nuk është përfundimtar. Të katër ish-krerët u dënuan për krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.






