Miliona votues në Britani do t’u drejtohen qendrave të votimit të enjten për të zgjedhur parlamentin dhe qeverinë e re.
Votuesit do të zgjedhin 650 ligjvënës po aq zona zgjedhore dhe kryeministër do të bëhet kreu i partisë që do të sigurojë numrin më të lartë të ligjvënësve.
Konservatorët e kryeministrit Rishi Sunak pritet gjerësisht të humbasin përballë partisë kryesore opozitare, laburistëve të qendrës së majtë, pas 14 vjetësh në pushtet, nën drejtimin e 5 kryeministrave të ndryshëm.
Tradicionalisht, konservatorët dhe laburistët dominojnë politikën britanike për shkak të sistemit zgjedhor mazhoritar që e bën të vështirë për partitë më të vogla të fitojnë përfaqësim në Parlament.
Por gjithashtu në garë janë Liberal Demokratët, Partia për Reformë në Mbretërinë e Bashkuar, Partia Kombëtare Skoceze dhe të Gjelbërit.
Më poshtë një përmbledhje se cilat janë partitë, kush i drejton ato dhe çfarë premtimesh po bëjnë.
KONSERVATORËT
Kush është udhëheqësi i tyre? Kryeministri Rishi Sunak.Zoti Sunak, 44 vjeç, erdhi në pushtet në tetor 2022 kur trashëgoi një Parti Konservatore dhe një ekonomi në pasiguri të madhe pas një qeverisjeje të shkurtër të kryeministres Liz Truss. I diplomuar në Oksford dhe ish-bankier i firmës së investimeve Goldman Sachs, ai është drejtuesi i parë me ngjyrë i Britanisë dhe i pari i besimit hindu që u bë kryeministër. Zoti Sunak ka theksuar se ai është njeriu që vuri situatën nën kontroll, por kritikët thonë se atij i mungon gjykimi politik dhe se nuk e di se çfarë duan votuesit.
Sa mandate fituan në zgjedhjet e fundit? 365
Çfarë po premtojnë? Ekonomi më të fortë dhe ulje të taksave me rreth 17 miliardë paundë në vit. Rritjen e shpenzimeve për shëndetin publik si dhe rritje të shpenzimeve për mbrojtjen në 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030. Partia e tij zotohet të kufizojë numrin e emigrantëve dhe t’i largojë disa azilkërkues për në Ruandë.
LABURISTËT
Kush është udhëheqësi i tyre? Keir Starmer.
Avokati 61-vjeçar, ish-kryeprokuror për Anglinë dhe Uellsin ka shanset më të mëdha për të qenë udhëheqësi i ardhshëm i Britanisë. Një laburist më i moderuar dhe pragmatik, zoti Starmer ka bërë shumë përpjekje për ta larguar partinë e tij nga politikat e drejtpërdrejta të ish udhëheqësit të laburistëve Jeremy Corbyn dhe për të shuar ndarjet e brendshme. Kritikët e tij thonë se ai nuk ngjall emocion dhe nuk është ambicioz, por laburistët kanë shtuar përkrahjen e qytetarëve nën udhëheqjen e tij.
Sa mandate fituan në zgjedhjet e fundit? 202
Çfarë po premtojnë? Ata po nxisin investime dhe përmirësimin e infrastrukturës së Britanisë, si hekurudhat, sipas një strategjie 10-vjeçare. Po premtojnë ngritjen e një kompanie shtetërore për energjinë e pastër për të rritur sigurinë energjetike, financimi i së cilës do të bëhej nga një taksë e papritur mbi gjigantët e naftës dhe gazit. Nëpërmjet taksave ndaj shkollave private do të paguhen mijëra mësues të rinj në shkollat shtetërore. Ata premtojnë edhe ulje të kohës pritëse për të marrë shërbimin shëndetësor, e cila vlerësohet se është tejet e lartë.
LIBERAL DEMOKRATËT
Kush është udhëheqësi i tyre? Ed Davey.
Zoti Davey, 58 vjeç, u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 1997. Ish-studiuesi i ekonomisë shërbeu si Sekretar për Energjinë dhe Ndryshimet Klimatike gjatë koalicionit jo të lehtë qeverisës mes konservatorëve dhe liberal-demokratëve, nga viti 2012 deri në 2015. Zoti Davey u bë udhëheqës i partisë së qendrës së majtë të Liberal Demokratëve në vitin 2019 dhe nuk ishte një emër i njohur deri në këto zgjedhje, kur ai u shfaq në titujt e parë të gazetave me disa taktika krejt të pazakonta, përfshirë hedhjen me litar nga një lartësi për t’i nxitur votuesit të hedhin një “hap besimi” dhe të votojnë partinë e tij.
Sa mandate fituan në zgjedhjet e fundit?
Çfarë po premtojnë? Përmirësim të sistemeve të kujdesit shëndetësor dhe social të Britanisë, përfshirë kujdesin me infermierë falas në shtëpi. Investim në energjinë e rinovueshme dhe izolimin e mirë të shtëpive. Uljen e moshës së votimit në 16. Rikthim në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.
PARTIA PËR REFORMË NË MBRETËRINË E BASHKUAR
Kush është udhëheqësi i tyre? Nigel Farage.
Zoti Farage, një figurë polarizuese që krenohet se ka rol përçarës në politikën britanike, ka shkaktuar “dhimbje koke” tek konservatorët që kur njoftoi se do të kandidojë në zgjedhje.
Populisti 60-vjeçar ka nxitur prej kohësh ndasi në opinionin publik me retorikën e tij kundër emigracionit dhe qëndrimin euro-skeptik. Një përkrahës kryesor i Brexit-it, zoti Farage po arrin të marrë mbështetje nga shumë votues konservatorë të zhgënjyer, nëpërmjet premtimeve të tij për të ulur emigracionin dhe për t’u përqëndruar tek “vlerat britanike”. Zori Farage ka kandiduar shtatë herë për të qenë në parlament, por nuk ka fituar asnjëherë.
Sa mandate fituan në zgjedhjet e fundit? Asnjë, megjithëse partia fitoi ligjvënësit e saj të parë këtë vit kur ish-nënkryetari i Partisë Konservatore Lee Anderson kaloi te Partia për Reformë në Mbretërinë e Bashkuar.
Çfarë po premtojnë? Ndaljen e “emigracionit jo thelbësor” dhe moslejimin e studentëve ndërkombëtarë që të sjellin me vete persona të tjerë në ngarkim të tyre. Largimi nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në mënyrë që azilkërkuesit të mund të dëbohen pa ndërhyrje nga gjykatat e të drejtave të njeriut.
Heqjen dorë nga objektivi për të arritur efektin “zero karbon” (eliminimin e çlirimin të gazit karbonik gjatë proceseve industriale), çka do të ndikonte në uljen e vlerës së faturave të energjisë elektrike.
PARTIA KOMBËTARE SKOCEZE (SNP)
Kush është udhëheqësi i tyre? John Swinney.
Zoti Swinney, 60 vjeç, u bë në maj, udhëheqësi i tretë i partisë në pak më shumë se një vit. Ai solli qëndrueshmëri në partinë e cila u përfshi nga pasiguria pasi Ish-Ministrja e Parë më jetëgjatë skoceze Nicola Sturgeon dha papritur dorëheqjen vitin e shkuar gjatë një hetimi për financimin e partisë që çoi në ngritjen e akuzave penale ndaj bashkëshortit të saj. Zoti Swinney ka qenë pjesë e partisë për një kohë të gjatë, ai iu bashkua kësaj force politike në moshë të re dhe e ka drejtuar partinë nga viti 2000-2004.Sa mandate fituan në zgjedhjet e fundit? 48
Çfarë po premtojnë? Yoti Swinney ka thënë se nëse partia e tij fiton shumicën e vendeve në Skoci, ai do të përpiqet të hapë negociatat për pavarësinë e Skocisë me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ai dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe tregut të brendshëm evropian. Ai gjithashtu ka bërë thirrje për rritjen e financimit për shëndetin dhe një armëpushim të menjëhershëm në Gazë.
PARTIA E GJELBËR
Kush është udhëheqës? Carla Denyer dhe Adrian Ramsay.
Zonja Denyer, me profesion inxhiniere mekanike, iu bashkua partisë në 2011. 38-vjeçarja shërbeu si përfaqësuese vendore e qytetit Bristol në nëntë vitet e fundit. Në vitin 2021 ajo u zgjodh bashkë-kryetare e të Gjelbërve së bashku me zotin Ramsay, gjithashtu një politikan i qeverisjes vendore që ka përvojë pune me organizata bamirëse mjedisore.
Sa mandate fituan në zgjedhjet e fundit?
Çfarë po premtojnë? Heqjen dorë nga energjia bërthamore dhe realizimin e objektivit për efektin “zero karbon” nga Mbretëria e Bashkuar deri në vitin 2040. Të Gjelbrit kanë premtuar 24 miliardë paundë në vit për të izoluar shtëpitë dhe investime në vlerën e 40 miliardë paundëve në vit për ekonominë e gjelbër, të cilat do të sigurohen përmes një taksimi të ri për pasurinë për njerëzit shumë të pasur dhe rritje të tatimit mbi të ardhurat për miliona njerëz që kanë fitime të mëdha./VOA/