Fabio Cannavaro ka pranuar se ëndrra e tij është ta drejtojë kombëtaren e Italisë, ndërsa ende nuk e kupton pse Udinese vendosi të mos e mbante në vitin 2024.
Kapiteni që e fitoi Kupën e Botës me Italinë foli për emisionin “Calcio Unplugged” në “Sky Sport Italia”, në një intervistë të transmetuar nga “TuttoMercatoWeb”.
Aktualisht, Cannavaro është në krye të kombëtares së Uzbekistanit, të cilën e ka udhëhequr drejt pjesëmarrjes së parë historike në Kupën e Botës këtë verë.
“Qëllimi dhe ëndrra ime, gjë që është normale, është të trajnoj në Itali dhe ta drejtoj kombëtaren. Po punoj për këtë, jo për të udhëtuar nëpër botë dhe për të shkuar në Azi. Dua të punoj shumë për të arritur objektiva të rëndësishëm”, deklaroi Cannavaro.
Përvoja e tij e vetme deri më tani në Serie A si trajner ishte te Udinese, ku u emërua kur kishin mbetur edhe pesë ndeshje deri në fund të sezonit 2023/24. Ai arriti ta shpëtonte klubin nga rënia nga liga në xhiron e fundit, por drejtuesit vendosën të mos vazhdonin bashkëpunimin me të.
“E shijova Serie A-n për pesë ndeshje, duke e shpëtuar Udinesen. Në 99 për qind të rasteve, trajnerët mbahen në detyrë. Me mua u mor një vendim tjetër dhe unë e pranova”, tha ai.
“Nuk ma shpjeguan arsyen, por e pashë si një përvojë që m’u dha në një klub fantastik, ku një trajner i ka të gjitha kushtet për t’u përmirësuar dhe për të pasur sukses”.
Deklaratat e tij vijnë vetëm pak ditë pasi Udinese e shkarkoi Kosta Runjaicin dhe emëroi Paolo Zanettin në krye të skuadrës.
53-vjeçari ka drejtuar edhe Al-Nassr, Guangzhou Evergrande dhe kombëtaren e Kinës.
“Do t’i bëja sërish të njëjtat zgjedhje, sepse sot kam një përvojë ndërkombëtare që më ka ndihmuar të rritem si person dhe si trajner”, u shpreh ai.
E ardhmja e tij në Uzbekistan mbetet e paqartë pas shtyrjes së Kupës së Azisë.
“Jam takuar tashmë me presidentin. Po e shijoj shumë këtë përvojë këtu, por në të njëjtën kohë dua të jem trajner”, tha Cannavaro.
“Është një vend që po investon jashtëzakonisht shumë në akademitë e të rinjve. Në grumbullimin e fundit i dhashë mundësinë e debutimit një futbollisti 17-vjeçar”.
Cannavaro shpjegoi gjithashtu se çfarë i mungon më së shumti nga futbolli i klubeve.
“Puna e përditshme e një trajneri është ndryshe. Është ajo që të jep adrenalinë çdo ditë: e sheh futbollistin çdo ditë, bisedon me të, përpiqesh ta ndihmosh të rritet dhe të përmirësohet, si dhe përgatitesh për ndeshjet”, deklaroi ai.
“Të punosh si trajner i një kombëtareje është si një kafe napolitane. Është e shkurtër, ke vetëm 10 ditë gjatë të cilave nuk mund të gabosh dhe duhet të gjesh një zgjidhje. Është një përvojë shumë stimuluese”.






