Barcelona mund të mbetet pa mundësinë për ta rikthyer João Félixin në “Camp Nou”.
Al Nassr nuk dëshiron ta humbasë sulmuesin portugez dhe po përgatit aktivizimin e një klauzole që do t’ia mundësonte vazhdimin e kontratës deri në verën e vitit 2029.
Félix aktualisht ka kontratë deri në vitin 2027, por marrëveshja e nënshkruar me klubin saudit përmban një klauzolë zgjatjeje për dy sezone të tjera.
Drejtuesit e Al Nassr po përgatiten të ndërmarrin procedurat për aktivizimin e saj, pa pasur nevojë për një nënshkrim të ri nga futbollisti, nëse plotësohen kushtet kontraktuale.
Ky zhvillim është një goditje për Barcelonën, pasi Jorge Mendes, menaxher i portugezit, kishte shpresuar që klienti i tij ta përfundonte kontratën në vitin 2027 dhe të rikthehej në futbollin evropian pa kosto transferimi.
Aktivizimi i klauzolës do ta ndryshonte tërësisht këtë skenar.
Në rast të vazhdimit të kontratës, paga vjetore e João Félixit do të rritej nga 10 në 12.5 milionë euro, ndërsa Chelsea do të përfitonte edhe 20 milionë euro shtesë nga marrëveshja.
Për momentin, Al Nassr po punon për ta siguruar vazhdimësinë e portugezit dhe për t’ia mbyllur rrugën një largimi të mundshëm drejt Barcelonës.
Félix, i cili i ka realizuar 34 gola dhe ka dhënë 28 asistime në 63 paraqitje me Al Nassr, është shndërruar në një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës ku luan edhe Cristiano Ronaldo.






