Bruno Fernandes mund të largohet nga Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi raportohet se ka refuzuar ofertën e re të kontratës për shkak të pakënaqësisë me drejtimin e klubit anglez.
Sipas mediumit turk Fanatik, mesfushori portugez është gjithnjë e më i frustruar me ambiciet dhe projektin sportiv të “Djajve të Kuq” dhe po e shqyrton mundësinë e largimit nga “Old Trafford”.
Në garë për shërbimet e tij është Galatasaray, që po përgatit një lëvizje për kapitenin e Manchester Unitedit. Megjithatë, klubi turk pritet të përballet me konkurrencën e Barcelonës, e cila gjithashtu po e përcjell situatën e 32-vjeçarit.
E ardhmja e Fernandesit lidhet edhe me situatën e kontratës së tij, e cila po diskutohet prej muajsh. Manchester Unitedi ka mundësi ta zgjasë marrëveshjen edhe për një sezon, por negociatat për një kontratë të re vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
Për Barcelonën, transferimi i portugezit do të ishte një mundësi për ta përforcuar mesfushën me një lojtar me përvojë dhe aftësi të mëdha krijuese.
Megjithatë, për momentin nuk ka marrëveshje të konfirmuar dhe mbetet të shihet nëse interesimi i Barcelonës dhe Galatasarayt do të shndërrohet në oferta konkrete në janar.






