Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier është deklaruar për mediet pas takimit në Qeveri me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ambasadori amerikan ka thënë se SHBA-ja nuk mendon që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat e komunave, duke aluduar në betimin e kryetarëve të zgjedhur në veri të vendit.
“Unë i kam bërë disa komente dje. Ne folëm për të njëjtën gjë. SHBA-ja mendon që kjo gjë duhet të përfundojë, duhet të shmangen konfliktet dhe veprimet që çojnë në rritjen e tensioneve në veri. Ne nuk mendojmë që është ide e mirë që të përdoret forca për të arritur qasje në ndërtesat që mund të mos jenë që qasshme”, ka thënë ai.
I pyetur nëse SHBA-ja e mbështet një draft të ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri Albin Kurti, Hovenier ka thënë se e mbështesin, duke shtuar se besojnë se Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi të lëvizë përpara urgjentisht me negociatat dhe më pas krijimin e Asociacionit.
“Ne kemi thënë disa herë që duhet të vendosen idetë në tavolinë, ta dimë se çfarë vizioni ka. Ne duam që ky proces të ecë përpara. Ne shumë shpesh kemi thënë gjëra të cilat i ka thënë edhe kryeministri Kurti. Ne nuk duam që Asociacioni të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ne e kemi bërë versionin tonë të qartë. Por është e rëndësishme që edhe Kosova t’i vë idetë e saja në tavolinë”, ka thënë ai.