Me vizitën e zyrtarëve të Vetëvendosjes tek Ura e Ibrit, ka ironizuar ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili.
Ajo përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka reaguar pas deklaratave të Qeverisë së do të hapet ura e Ibrit për qarkullim të automjeteve.
Ajo ka ironizuar me tre ministrat që shkuan në Veri, duke thënë se “tre sherifat e ri në qytet kësaj rradhe kanë për t’a ndreçë punën”.
Ismaili ka thënë se “qasja konfrontuese e Kurtit ndaj BE-së, SHBA-ve dhe vendeve perëndimore, po e shkatërron reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”.
“Ata po përshkallëzojnë armiqësinë ndaj BE-së, SHBA-së dhe Perëndimit, duke izoluar vendin dhe kësisoji dorëzuar atë në pjatë të Serbisë! Në fund të fundit, cila është alternativa e Kosovës për aleanca, nëse nuk është BE-ja dhe SHBA-të?”
Ajo ka shkruar se Mitrovicës nuk i duhet armiqësimi i qytetarëve të saj me bashkësinë ndërkombëtare.
Tutje Ismaili ka thënë se “narrativat antiperëndimore që po i shet Kurti i sjellin përfitime vetëm Serbisë dhe Rusisë”.
“Mitrovica e përvujtuar si mos më keq, nuk i duhet edhe armiqësimi i qytetarëve të saj me bashkësinë ndërkombëtare, që po e nxitë me paramendim qeveria Kurti. Narrativat antiperëndimore që po konstrukton dhe po i shet Kurti dhe sejmenët e tij, u sjellin përfitime vetëm Serbisë dhe Rusisë.”, ka shkruar ajo.